Çmimi i naftës në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur një rekord historik prej 1,9918 paund për litër (213 lekë për litër), sipas organizatës automobilistike RAC, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme vijon të rrisë koston e karburanteve. Edhe çmimi i benzinës vijojnë të rriten, me një litër që aktualisht kushton 1,74 paund.
Gjatë shtatë muajve të fundit, lufta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në prodhimin dhe transportin e naftës në rajon, duke çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve të karburanteve të prodhuara nga nafta. RAC tha se çmimi i naftës ka hyrë në “territor të paeksploruar”, duke shërbyer si një kujtesë për “varësinë e madhe të Britanisë së Madhe nga ngjarjet që ndodhin shumë larg saj”.
Çmimi i naftës është rritur tashmë me gati 40% që nga shpërthimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit në fund të shkurtit. Rekordi i mëparshëm ishte 1,9909 paund për litër, i regjistruar në qershor 2022.
Rritja do të thotë se mbushja e një automjeti familjar mesatar me naftë kushton tashmë rreth 110 paund, ose 31 paund më shumë se në fillim të konfliktit.
Benzina kushton aktualisht 0,41 paund për litër më shumë se në fillim të konfliktit, por çmimi i saj mbetet ende ndjeshëm nën rekordin e vitit 2022.
Të dhënat e RAC bazohen në çmimin mesatar të naftës në një sërë supermarketesh, pikash karburanti në autostrada dhe shitësish të pavarur.
Edhe Rusia, një tjetër prodhues i madh i naftës, ka vendosur një ndalim të eksporteve të naftës, pas sulmeve të Ukrainës ndaj rafinerive të saj, duke kufizuar më tej furnizimin.
Nafta është më e vështirë për t’u rafinuar se benzina dhe, për shkak se përdoret gjerësisht nga industria e transportit të mallrave dhe në bujqësi, është shumë e vështirë të reduktohet kërkesa për të.
Mbretëria e Bashkuar është shumë e varur nga importet. Edhe pse katër rafineritë në vend prodhojnë më shumë benzinë sesa nevojitet për konsum, ato nuk prodhojnë mjaftueshëm naftë për të përmbushur nevojat e vendit.
Sipas të dhënave të Departamentit për Transportin, në fund të qershorit, në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar qarkullonin 15,1 milionë automjete me naftë. Kjo shifër është më e ulët se një vit më parë, kur ishin 15,7 milionë.
Lini një Përgjigje