Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Bamir Topi komenton arrestimin e kreut të SHISH: Kur ndodhi Gërdeci, unë zgjodha…

Aktualitet

Publikuar: 28/09/2026

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Bamir Topi komenton arrestimin e kreut të SHISH: Kur ndodhi Gërdeci, unë zgjodha…

Ish-presidenti Bamir Topi ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke u ndalur te situata e krijuar rreth Shërbimit Informativ të Shtetit dhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai e cilësoi çështjen e SHISH si një ngjarje me peshë të veçantë për shtetin shqiptar, duke theksuar se pasojat e saj lidhen edhe me marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Sipas ish-presidentit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk është një strukturë që mblidhet në mënyrë të shpeshtë, por thirret nga Presidenti në raste kur zhvillimet kanë një rëndësi të veçantë.


”Këshilli i Sigurisë Kombëtare, në një farë mënyre konsiderohet si këshill në ndihmë të presidentit. Thirret nga presidenti dhe ai nuk mblidhet në mënyrë shumë frekuente, por në ngjarje tërëndësishme”,-tha në ”News 24”. Topi sqaroi se fakti që Këshilli nuk mblidhet për çdo zhvillim nuk do thotë se komunikimi institucional ndërpritet. Sipas tij, mbledhja e tij tregon se një çështje ka marrë një përmasë të rëndësishme publike dhe shtetërore.


Topi vuri theksin te marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe te rëndësia e besueshmërisë së institucioneve shqiptare, veçanërisht në kushtet kur Shqipëria është anëtare e NATO-s.
”Ne jemi vend anëtar i NATO-s. Ti mban komunikim të vazhdueshëm me partnerët. Edhe në rast se nuk ka gjë konkrete, nuk kam informacion konkret, por tek e fundit, fillon dhe bie rëndësia e kredibilitetit e partnerëve ndaj teje”.

Duke folur për mënyrën sesi zhvillohet një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Bamir Topi theksoi se diskutimet zhvillohen me dyer të mbyllura dhe se mënyra e komunikimit me publikun mbetet në diskrecionin e Presidentit. Ai solli në vëmendje edhe një precedent nga koha kur ishte në krye të Presidencës, duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit.

”Unë kam pasur një rast kur ndodhi ngjarja e Gërdecit, ku u mblodh Këshilli rreth një javë pas ngjarjes. Unë zgjodha t’i drejtohem publikut me një apel publik, dhe më pas punimet u zhvilluan me dyer të mbyllura”.
Në fund, Topi nënvizoi rëndësinë e debatit institucional gjatë mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë, duke argumentuar se prania e drejtuesve kryesorë të shtetit krijon mundësinë për një analizë të gjerë të situatës.