Vijon ngërçi në GJKKO/ Avokatët bojkotojnë edhe masat e sigurisë, bllokohen gjykimet prej tre javësh

Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme u thirrën në një mbledhje këtë të hënë nga kryetari Erjon Bani për të diskutuar mbi situatën e krijuar prej më shumë se dy javësh si pasojë e rregullores së re që hyri në fuqi më 1 shtator.
Gjyqtarët ishin të ndarë sa i përket qëndrimit që ata mbajtën në lidhje me ndryshimet në rregullore, një pjesë e tyre kërkoi zgjidhje të dialogut me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ndërsa gjyqtarë të tjerë mbajtën qëndrimin se duhen ashpërsuar masat ndaj avokatëve që refuzojnë të marrin pjesë në seanca.
Mbledhja përfundoi pa një qëndrim të përbashkët, teksa Gjykata e Posaçme po përballet me një situatë të pazakonte, pasi krahas seancave gjyqësore avokatët kanë bojkotuar edhe seancat për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, duke e çuar këtë institucion në kolaps total.
Edhe këtë të hënë, seancat gjyqësore u bojkuan, ndërsa gjyqtarët proceduan me gjobitjen e avoktëve nga 10 deri në 50 mijë lekë të rinj për mosparaqitje pa shkaqe të arsyeshme.
Në mesditë ishte parashikuar të zhvillohej seanca për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Piro Xhixhon, por seanca u shty në 12 tetor. Gjykata gjobiti me 10 mijë lekë të rinj dy avokatët që nuk morën pjesë në seancë, për shkak të Urdhrit të prerë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Avoaktët kundërshtojnë rregulloren, që nuk lejon përdorimin e aparatit celular në sallë për asnjërën nga palët në proces, por as për përfaqësuesit e mediave.


