Kur Rama prek themelet e 'familjes' europiane

Kur Rama prek themelet e 'familjes' europiane

15:47, 28/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Genc Burimi

Çfarë do të mund ta ndalojë Kryeministrin në shkarjet e tija sa verbale, aq edhe tê dëmshme strategjikisht për Shqipërinë?

Pasi u mor me të gjithë në Shqipëri, si Don Kishoti me mullinjtë e erës, duke u thënë një herë « të shitur tek iranianët », një herë « fuck you », e një herë si « antisemita », sot Rama nga Tirana gjeti një tjetër tabelë qitjeje, kësaj herë jashtë kufijve: Ursula von der Leyen.

Kur Europa vjen në Shqipëri për të parë ecurinë e reformave për integrim, Rama merret me familjen e Presidentes së Komisionit Europian për t’i kujtuar mirë publikut se sa fëmijë ka ajo. Të përmendësh familjen e tjetrit është një tabu absolute për vlerat e familjes europiane, por për Ramën kjo s’është veçse një lojë zbavitëse fjalësh. Qëllimin e kishte gjetiu « gjeniu » ynë: t’i dërgonte Europës një mesazh të koduar si gangsterët. Ose na integroni sa më shpejt, ose, po vazhduat të na neglizhoni, mos u habisni që do të hidhemi një ditë në krahët e Rusisë apo Kinës (siç po bën Serbia).

A ka turp më të madh t’i thuash shefes së Komisionit Europian fjalë për fjalë këtë: « Shtatë fëmijë ka Ursula dhe shtatë kandidatë ka për në BE. Ajo nuk i tha vajzës që luaj me gangsterin rus atje në cep. Ajo nuk i tha djalit shko e luaj me lojëra kineze, se nuk mund të jesh pjesë e tavolinës. Jo, duhet të jesh në tavolinë. »

Turpi edhe harrohet, por gafat e Ramës janë strategjike. Tmerri më i madh i BE-së në qasjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është futja në radhët e saja e një « kali Troje » që ta çajë Europën nga brenda, siç bëri për vite me radhë Orbani. Me këtë shantazh të shëmtuar, Rama i thotë haptazi Europës se « jemi ne kali i Trojes ». Si mund të jetë ndryshe? Kur ky kryeministër ka guximin të shantazhojë BE-në me aleanca me Rusinë apo Kinën pa qenë ende vend anëtar i BE-se, a mund të imagjinohet se çfarë mund të bëjë ai nesër, apo Vuçiçi, apo Dodiku, kur këto vende të jenë brenda në BE me fuqi absolute vetoje?
​
Rama turpëron Shqipërinë kur përdor fëmijët e Von der Leyenit si parabolë për mesazhet e tija të koduara. Rama komprometon integrimin e Shqipërisë kur përdor fantazmat e Rusisë dhe të Kinës për të trembur europianët. Këta të fundit mund ta duan vërtet Shqipërinë, por duan në radhë të parë veten : me tipa si Rama që të kërcënojnë si Orbani duke të përmendur edhe fëmijët , nuk mund ta fusësh ujkun në vathë… 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco