Rajoni

Pas dorëheqjes Vuçiç i dorëzon detyrën kryetares së Kuvendit Bërnabiç: Gëzuar ditëlindjen dhe paç fat!

Aleksandar Vuçiç i ka dorëzuar mëngjesin e sotëm detyrën e presidentit të Serbisë Ana Bërnabiçit, një ditë pasi dha dorëheqjen nga posti. Bërnabiç, deri tani kryetare e Parlamentit, merr detyrën e presidentes në detyrë të vendit.

Gjatë dorëzimit të detyrës, Vuçiç e njohu Bërnabiçin me dokumentet që po i linte, mes tyre edhe evidencën e dhuratave dhe raportin financiar.

“Dhe kjo është më e rëndësishmja, kjo është vula”, i tha Vuçiç, teksa i dorëzonte dokumentacionin.

Por ceremonia përkoi edhe me ditëlindjen e Bërnabiçit. Vuçiç i dhuroi një buqetë me lule dhe e uroi: “Gëzuar ditëlindjen dhe paç fat me marrjen e detyrës!”

Menjëherë pas kësaj, ai tha: “Tani po iki”.

Bërnabiç falënderoi Vuçiçin dhe tha se për të ishte nder të merrte detyrën prej tij. Ajo deklaroi se do ta mbajë postin deri në zgjedhjen e presidentit të ri të Serbisë.

“Është nder për mua që e marr këtë detyrë dhe që mund ta mbaj këtë pozicion deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, tha Bërnabiç.

Vuçiç dha dorëheqjen të dielën, më 27 shtator. Pas largimit të tij, sipas ligjit serb, detyrën e presidentit e ushtron kryetari i Parlamentit për një periudhë jo më të gjatë se tre muaj. Zgjedhjet për presidentin e ri duhet të zhvillohen jo më vonë se tre muaj nga përfundimi i mandatit të presidentit.