
Në Komisionin kuvendor të Ligjeve po diskutohet për hartën e re territorial, nismë e mazhorancës ku nuk kanë munguar debatet.
Një prej deputetëve të opozitës, Saimir Korreshi e quajti nismën një projekt që do t’i sigurojë të majtës më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Me batuta, Korreshi tha se kjo nismë e Maznikut, ka për qëllim fitoren që pretendon mazhoranca.
“Faleminderit që po bëni reformër për kopshtet e mbyllura dhe shkollat e braktisura”, tha Korreshi.
Ndërsa deputeti i PD, Oerd Bylykabashi kërkoi që edhe nisma e PD të trajtohet njëkohësisht me atë të PS, duke kaluar përmes konsultimit publik.
“Nisma juaj dhe nisma jonë, duhet të bashkohen. Duhet të bëhet edhe për nismën tonë procedurën e konsultimit publik që bëtë për draftin tuaj. Ju vratë konsensus se donit të nxirrnit hartën tuaj me 46 bashki. Bashkoni nismën tuaj legjislative, bashkoni dy nismat dhe bëni procedurë të njëjtë”, tha Bylykbashi.
Kreu i Komisionit Ulsi Manja, deklaroi se procedura do të vijojë mbi projektligjin e paraqitur nga Partia Socialiste, duke theksuar se nisëm e opozitës ende nuk e kanë në tryezë.
“Silleni nismën tuaj, kur ta kemi në tavolinë do flasim. Ky komision do të vijojë me shqyrtimin e projektligjit të sjellë nga Partia Socialiste”, u shpreh Manja.
Mazhoranca propozon kalimin nga 61 në 46 bashki, ndërsa opozita ka depozituar propozimin me 100 bashki dhe ka kërkuar të që të futet në diskutim. Kërkesa e tyre është rrëzuar pas 3 orësh diskutime mes palëve, çka ka shktuar tensione dhe debate mes tyre.

