Këshilli Bashkiak i Belshit ka votuar kundër propozimit që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Elbasanin, në kuadër të diskutimeve për rishikimin e hartës administrativo-territoriale të vendit.
Gjatë votimit, 7 këshilltarët e Partisë Demokratike votuan kundër bashkimit, ndërsa 10 këshilltarët e Partisë Socialiste zgjodhën të abstenojnë. Si rezultat, propozimi nuk mori mbështetjen e Këshillit Bashkiak.
Pavarësisht kundërshtimit të bashkimit, mbledhja është shoqëruar me debate mes këshilltarëve, veçanërisht për votën abstenuese të përfaqësuesve të PS-së.
Këshilltarët e të dyja forcave politike argumentuan qëndrimet e tyre, duke vënë theksin te potenciali turistik i Belshit. Gjatë diskutimeve u mbrojt qëndrimi se bashkia duhet të vazhdojë të ekzistojë si njësi më vete dhe të vetëadministrohet, duke shfrytëzuar potencialin e saj për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Një tjetër element që ka shoqëruar procesin është pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në konsultimet për reformën territoriale. Konsultimet publike në Belsh u thirrën dy herë, por në të dyja rastet nuk arritën të siguronin pjesëmarrjen e synuar.
Këshilli Bashkiak arriti të marrë mendimin vetëm të një numri të vogël qytetarësh gjatë takimit të zhvilluar në qytet, ndërsa diskutimi për të ardhmen administrative të Belshit vijoi kryesisht mes përfaqësuesve vendorë.
Kujtojmë se edhe Këshilli Bashkiak i Maliqit i ka thënë “jo” propozimit që parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Korçën, si pjesë e diskutimeve për rishikimin e hartës administrativo-territoriale të vendit. Në Maliq, 21 nga 22 këshilltarët votuan kundër propozimit, ndërsa vetëm një votoi pro.














