SPAK ka marrë në hetim procedimin penal për rreth 41 kilogramë kokainë, të sekuestruar pak javë më parë në një kontejner me mish pule, që i përkiste kompanisë AMG DIMAL.
Çështja ishte fillimisht nën hetimin e Prokurorisë së Durrësit, por tashmë është tërhequr nga SPAK, i cili po vijon hetimet për të zbardhur origjinën e drogës dhe për të identifikuar personat që qëndrojnë pas saj.
Deri në këtë fazë të hetimit, nuk rezulton të ketë prova që lidhin kompaninë AMG DIMAL me kokainën e sekuestruar.
Hetuesit po ndjekin gjurmët e ngarkesës së mishit të pulës, duke verifikuar dokumentacionin, porosinë, faturat dhe destinacionin e saj.
Qëllimi është të përcaktohet se kush e ka porositur ngarkesën dhe nëse përdorimi i kontejnerit ka qenë pjesë e një skeme të organizuar për trafikimin e lëndës narkotike.
Në kuadër të hetimeve po analizohen gjithashtu të dhënat dhe informacionet e shkëmbyera me autoritetet e huaja.
SPAK dhe strukturat ndërkombëtare të hetimit kanë shkëmbyer informacion në kohë reale lidhur me operacionin dhe sekuestrimin e kokainës.
Një nga pistat që po hetohet është ajo se droga mund t’u përkasë grupeve kriminale shqiptare me bazë në Belgjikë, të cilat ishin goditur nga autoritetet pak ditë përpara sekuestrimit të ngarkesës.


