Një automjet është përfshirë nga flakët pasditen e sotme, teksa ishte në lëvizje në aksin rrugor Ura e Çerenecit-Librazhd.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin kur automjeti ka marrë flakë, brenda tij ndodheshin një burrë dhe një grua. Fatmirësisht, të dy kanë arritur të dalin në kohë nga mjeti dhe kanë shpëtuar pa lëndime.
Ndërkohë, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë të gjithë automjetin, i cili është shkrumbuar plotësisht. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse dhe kanë vënë nën kontroll flakët, ndërsa po kryhen verifikimet për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit.
Deri në këto momente, nuk dihen rrethanat e plota që kanë shkaktuar përfshirjen e automjetit nga flakët.
