Buka dhe sallami duket se janë më të preferuarat nga shqiptarët, teksa dhe industria shqiptare është fokusuar më shumë në këtë prodhim.
Në një industri ku për vite me radhë pesha kryesore ka qenë te nafta, kromi dhe mineralet, tashmë një pjesë e rritjes po vjen nga ajo që shqiptarët blejnë çdo ditë për tryezën. Nga pasuritë që nxirren nga nëntoka, te produktet që përpunohen në fabrikë dhe përfundojnë në tryezë.
Në vitin 2025, sipas INSTAT, industria ushqimore po del në pah, nga ana tjetër, disa prej sektorëve tradicionalë të industrisë nxjerrëse po përballen me rënie.
Buka, produktet e mishit, sallami dhe ushqimet e përpunuara po marrin gjithnjë e më shumë peshë në prodhimin dhe eksportet shqiptare. Prodhimi i bukës së freskët arriti në 67.2 mijë tonë, me një rritje prej 8.4%, ndërsa prodhimi i sallameve dhe produkteve të ngjashme me mish u rrit në 13.3 mijë tonë. Prodhimi i ujit mineral dhe ujit të gazuar u zgjerua gjithashtu, nga 4.98 milionë hektolitra në vitin 2024 në 5.09 milionë hektolitra në vitin 2025.
Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se industria shqiptare po bëhet më e fuqishme. Përkundrazi, shifrat tregojnë se një pjesë e industrisë po mbahet nga konsumi i përditshëm, ndërsa degët tradicionale po tkurren.
Nga ana tjetër, në sektorët nxjerrës, rritja e prodhimit të çimentos, betonit, kabllove elektrike dhe produkteve ushqimore u shoqërua me një rënie të ndjeshme të vlerës së shitjeve të naftës bruto dhe xeherorëve të kromit, ndonëse prodhimi ishte më i lartë.
Prodhimi i çimentos arriti në 1.99 milionë ton në vitin 2025, duke u rritur me 2.5%, ndërsa prodhimi i betonit arriti në 1.77 milionë ton.
Megjithatë, rritja e prodhimit fizik nuk është përkthyer në mënyrë të njëtrajtshme në rritje të vlerës së shitjeve. Tek rasti i naftës bruto, prodhimi ra në 634.3 mijë ton në 2025, ndërsa vlera e shitjeve u tkurr në 22.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie vjetore 24.3% të vlerës së shitjeve.
Duket se nafta dhe kromi po humbasin terren, ndërsa buka dhe sallami po fitojnë peshë. Një ndryshim që tregon jo vetëm çfarë prodhon industria shqiptare, por edhe nga çfarë po mbahet ajo.
Top Channel