“A doni të blini armë nga SHBA?” - Trump ia bëri pyetjen Xi Jinping, Departamenti i Shtetit jep sqarimin

28 Shtator 2026, 17:50Bota TEMA
“A doni të blini armë nga SHBA?” - Trump ia bëri

Presidenti amerikan Donald Trump e ka pyetur udhëheqësin kinez Xi Jinping nëse Kina dëshironte të blinte armë nga Shtetet e Bashkuara. Kështu deklaroi ambasadori amerikan në Pekin, David Perdue, duke iu referuar takimit të dy presidentëve javën e kaluar në Uashington.


Por pas deklaratës së tij, Departamenti amerikan i Shtetit sqaroi se ligji ndalon shitjen e armëve Kinës dhe se nuk ka asnjë ofertë apo plan për një marrëveshje të tillë. Edhe Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka plane për t’i shitur armë Pekinit.

Deklarata vjen në një moment të ndjeshëm për Tajvanin. Ishulli pret prej muajsh miratimin nga Trump të një pakete armësh amerikane me vlerë 14 miliardë dollarë. Në maj, presidenti amerikan tha se e kishte lënë pezull vendimin, duke e cilësuar paketën si një mjet të mundshëm negocimi me Kinën.

Pekini kundërshton shitjen e armëve amerikane për Tajvanin, të cilin e konsideron pjesë të territorit të vet. Një zyrtar i lartë tajvanez tha se ishulli përballet me një kërcënim të rëndë ushtarak nga Kina. Sipas tij, Uashingtoni i kupton nevojat e Tajvanit për mbrojtje.

Lini një Përgjigje