Më shumë punonjës po paguajnë kontribute, mbi paga edhe më të larta se një vit më parë, gjë që po reflektohet në shtimin e të ardhurave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave përgjatë 8 muajve janë mbledhur në total 134.1 miliardë lekë nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ose rreth 15.9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Të ardhurat nga kontributet
Janar-Gusht 2025         118,2 mld lekë
Janar-Gusht 2026         134,1 mld lekë
Diferenca                       +15,9 mld lekë

Ndikim në këtë ecuri kanë një sërë faktorësh por më kryesorët janë shtimi i të punësuarve me sigurime dhe rritja e pagave. Në fund të qershorit sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve që paguan sigurime arriti në 776 mijë ose 16 mijë më shumë se në vitin 2025.

Kontribuues në sigurimet shoqërore
Qershor 2025      759,854 punonjës
Qershor 2026      776,022 punonjës
Diferenca            +16,168 punonjës

Prej 2 vitesh tatimet por edhe Inspektoriati i Punës kanë shtuar kontrollet në sektorin privat, për të ulur numrin e punonjësve të padeklaruar, gjë që po reflektohet në shtimin e punonjësve të regjistruar.

Shtimi i kontributeve ka efekt direkt në skemën e pensioneve e cila prej vitesh është në deficit për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme për të paguar 755 mijë pensioniste që ka vendi.

Ndërkohë paga mesatare në vend gjatë këtij viti ka arritur në 92.150 lekë, nga 83.906 lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Edhe në këtë aspekt efekt pozitiv kanë dhënë aksionet kundër nëndeklarimit të pagave që nisën në vitin 2024, e që janë pësuar jo vetëm me kontrolle por edhe me caktimin e pagave referuese fillimisht për turizmin, e më tej me ndërtim.

Rritja e pagave nuk ka ndikuar vetëm në shtimin e kontributeve, por kanë dhënë rezultat pozitiv edhe tek tatimi mbi të ardhurat personale që mbahet mbi pagën e çdo punonjësi (përjashtohen pagat minimale).

Tatimi mbi të ardhurat personale
Janar-Gusht 2025        56.7 mld lekë
Janar-Gusht 2026        65.4 mld lekë
Diferenca                    +8.7 mld lekë

Raporti i Ministrisë së Financave tregon se në 8 muaj janë mbledhur 65.4 miliardë lekë ose 8.7 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Administrata tatimore ka paralajmëruar se aksionet kundër informalitetit në tregun e punës do të shtrihen edhe më tej gjatë këtij viti, me fokus tek pagat e shërbimeve spitalore private por edhe te tregtia online.