Aktualitet

SpaceX teston Starship në fluturimin e 14-të, synimi historik të hyjë për herë të parë në orbitë…

SpaceX ka kryer të hënën, më 28 shtator, një nga testet më të rëndësishme të programit Starship, me anijen gjigante kozmike që synon të përfundojë për herë të parë një fluturim orbital.

Starship u nis në orën 14:48 sipas kohës tonë nga baza e SpaceX në Starbase, në Teksasin Jugor. Ky është fluturimi i 14-të i Starship që nga testi i parë në prill 2023.

Deri tani, të gjitha fluturimet e Starship kanë qenë suborbitale, pra anija ka arritur në hapësirë, por pa fituar shpejtësinë e nevojshme për të qëndruar në orbitën e Tokës, e cila është rreth 28 mijë kilometra në orë.

Me një lartësi totale prej rreth 124 metrash, Starship konsiderohet raketa më e madhe dhe më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë. Sistemi përbëhet nga përforcuesi Super Heavy dhe anija kozmike Starship, të dyja të projektuara për t’u ripërdorur.

Gjatë Fluturimit 14, Starship, e cila është rreth 52 metra e gjatë, synon të përfundojë gjashtë orbita rreth Tokës. Misioni parashikon gjithashtu vendosjen e 26 satelitëve Starlink Version 3, të cilët synojnë të jenë pjesë e një konstelacioni të ri satelitësh në orbitën e ulët të Tokës.

Rreth dhjetë orë pas nisjes, Starship pritet të rikthehet në Tokë dhe të tentojë një ulje në Oqeanin Paqësor, pranë brigjeve të Kilit. Ndërkohë, përforcuesi Super Heavy pritet të përfundojë pjesën e tij të misionit rreth shtatë minuta pas nisjes, me një ulje në Gjirin e Meksikës.

Megjithatë, edhe nëse misioni përfundon me sukses, SpaceX do të ketë ende disa hapa të rëndësishëm përpara se Starship të përdoret për misione të rregullta hapësinore.

Kompania duhet të demonstrojë transferimin e sigurt të karburantit mes anijeve kozmike në orbitë, një teknologji që do të jetë thelbësore për misionet e ardhshme drejt Hënës dhe Marsit. Këto misione do të kërkojnë transferime të shumta karburanti nga anije të specializuara që do të shërbejnë si cisterna në hapësirë.

Starship duhet gjithashtu të pajiset me sisteme të mbështetjes së jetës përpara se të nisë misionet me astronautë.

NASA ka përzgjedhur Starship si anijen hënore për misionet me ekuipazh të programit Artemis, me synimin për të rikthyer njerëzit në Hënë në vitin 2028, në kuadër të misionit Artemis IV.

Për këtë arsye, Fluturimi 14 përbën një test të rëndësishëm për të ardhmen e Starship, pasi synon të tregojë nëse anija mund të kalojë nga faza e provave eksperimentale drejt përdorimit në misione të rregullta hapësinore.