Një fëmijë vetëm dy vjeç iu nënshtrua eutanazisë në Holandë, në rastin e parë të njohur në vend të një fëmije nën moshën 12 vjeç që i nënshtrohet vdekjes së asistuar.
Rasti u bë publik pas një raporti të Komitetit të Rishikimit për Abortin në Afat të Vonë dhe Ndërprerjen e Jetës tek të Porsalindurit dhe Fëmijët, i cili shqyrtoi rrethanat në të cilat u krye procedura.
Sipas raportit, fëmija ishte pothuajse 24 muajsh dhe kishte lindur para kohe, në javën e 26-të të shtatzënisë.
Gjatë jetës së tij të shkurtër, fëmija kishte përjetuar probleme të rënda shëndetësore, mes tyre paralizë cerebrale, dëmtime të rënda të shikimit, kriza epileptike që nuk reagonin ndaj ilaçeve, si dhe grumbullim të mukusit në mushkëri, gjë që i vështirësonte ndjeshëm frymëmarrjen.
Mjekët dhe prindërit arritën në përfundimin se gjendja e fëmijës nuk mund të trajtohej më përmes ndërhyrjeve të tjera mjekësore.
Komiteti përkatës arriti në përfundimin se mjeku që kreu eutanazinë kishte vepruar në përputhje me protokollet e përcaktuara dhe kishte treguar kujdesin e duhur.
Sipas raportit, mjeku kishte kërkuar edhe mendimin e specialistëve të pavarur për një vlerësim të dytë.
Mjekët që e ekzaminuan fillimisht rastin vlerësuan se, pavarësisht rëndesës së gjendjes, fëmija nuk po përjetonte “vuajtje të vazhdueshme të patolerueshme”, pasi krizat epileptike, edhe pse shkaktonin shqetësim të madh, nuk ishin të pandërprera.
Ata vunë në dukje gjithashtu se ekzistonin ende disa alternativa, përfshirë kujdesin paliativ dhe trajtime të tjera medikamentoze që mund të lehtësonin simptomat.
Megjithatë, pas një vlerësimi të ri mjekësor, një tjetër specialist arriti në përfundimin se “vuajtja e patolerueshme” e fëmijës ishte e dukshme dhe se kushtet për t’i dhënë fund jetës ishin përmbushur.
Komiteti e pranoi këtë vlerësim, duke theksuar se të gjitha aspektet e funksionimit të fëmijës, nga aftësitë motorike deri te sjellja dhe personaliteti, ishin prekur rëndë dhe nuk pritej asnjë përmirësim.
“Pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve mjekësore dhe jo-mjekësore, prindërit dhe mjeku nuk vunë re asnjë përmirësim në gjendjen e fëmijës dhe ishin të bindur se fëmija po vuante pa asnjë perspektivë lehtësimi”, thuhet në raport.
Çfarë parashikon ligji në Holandë?
Dy vjet më parë, Holanda lejoi vdekjen e asistuar për fëmijët nga një deri në 12 vjeç që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe të pashërueshme.
Përpara këtij ndryshimi, eutanazia lejohej vetëm për të porsalindurit dhe për personat mbi moshën 12 vjeç.