Papa Leoni u bëri thirrje palëve të përfshira në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Europë që të tregojnë guxim dhe të jenë të gatshme të heqin dorë nga disa prej qëndrimeve të tyre në emër të paqes.
Gjatë fjalimit të mbajtur në qytetin francez të Metzit, në përfundim të vizitës së tij katërditore në Francë, Papa e përshkroi luftën si një “masakër” që çdo ditë u merr jetën civilëve.
Edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt Ukrainën, deklaratat e tij iu referuan luftës që vijon pas pushtimit të plotë rus të vendit në vitin 2022. Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit deri tani nuk kanë prodhuar një marrëveshje.
Papa Leoni nuk specifikoi se cilat qëndrime duhet të ndryshojnë palët, por theksoi nevojën për kompromis dhe dialog si rrugë drejt paqes.
Në fjalimin e tij, Papa kundërshtoi gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake në Europë.
Sipas tij, riarmatimi nuk duhet të shihet si përgjigjja ndaj luftës. Ai u bëri thirrje liderëve europianë që të investojnë më shumë në dialog dhe përpjekjet diplomatike, në vend që të përgatiten për konflikte të ardhshme.
Mesazhi i Papës vjen në një kohë kur vendet europiane po rrisin vëmendjen ndaj sigurisë dhe mbrojtjes, në një klimë të tensionuar gjeopolitike pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Apel për një Europë më gjithëpërfshirëse
Papa Leoni foli edhe për të ardhmen e Europës, duke kërkuar respektimin e shtetit të së drejtës dhe barazinë mes njerëzve.
Ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve europiane që të punojnë për integrimin e emigrantëve dhe të krijojnë rrugë të ligjshme dhe të sigurta për migracionin.
Sipas tij, paqja dhe stabiliteti në Europë nuk lidhen vetëm me sigurinë ushtarake, por edhe me forcimin e dialogut, respektimin e të drejtave dhe krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse.


