Një zhvillim i ri është regjistruar në hetimin për vdekjen e këngëtarit grek George Mazonakis, pasi një infermiere 61-vjeçare ka ndryshuar pjesë të dëshmisë së saj për atë që ndodhi në klinikën e rrugës Karneadou.
Sipas mediave greke, infermierja, e cila punonte me kohë të pjesshme në klinikë, dëshmoi më 28 shtator para hetuesit. Në deklarimin e saj të parë ajo kishte thënë se ishte larguar nga klinika rreth orës 16:15, në përfundim të turnit, dhe se më pas kishte mësuar për vdekjen e Mazonakis nga rrjetet sociale dhe televizoni.
Në dëshminë e re, ajo thuhet se ka deklaruar se kishte qëndruar në klinikë edhe pas orës 16:15 dhe se ishte e pranishme kur ndodhi incidenti. Infermierja përshkroi gjithashtu panikun që përfshiu stafin në ato momente, duke pretenduar se njëra prej mjekeve thirri punonjëset në dhomën ku ndodhej këngëtari.
Një tjetër detaj i dëshmisë së saj lidhet me deklaratën që, sipas saj, bëri mjeku 58-vjeçar pas ngjarjes. Infermierja ka pretenduar se ai iu drejtua punonjëseve duke thënë: “Një njeri vdiq dhe të gjithë jemi bashkërisht përgjegjës.”
Mediat greke raportojnë se hetimi vijon dhe se autoritetet po shqyrtojnë edhe komunikimet telefonike dhe rezultatet e analizave toksikologjike. Ndërkohë, pritet që në ditët në vijim të dëshmojnë edhe persona të tjerë që kanë punuar në klinikë.
Lini një Përgjigje