Dënimi i krerëve të UÇK, Mc Kresha për “Takohemi n’Vizion”: E turpshme, preku dinjitetin e luftës

Ka startuar këtë të hënë në ekranin e televizionit kombëtar Vizion Plus emisioni “Takohemi n’Vizion”, i moderuar nga Fjodora Fjora.
I pari që bëri edhe “inaugurimin” e studios ishte reperi Kreshnik Fazliu, i njohur me emrin e artit si MC Kresha.
Reperi erdhi me një rrëfim ndryshe, që pak e njohin anën tjetër të tij, atë njerëzore, sportive dhe politike.
Nuk kishte si t’i shpëtonte pyetjes mbi situatën politike në Kosovë, pas dënimit nga Gjykata Speciale të katër ish-komandantëve të UÇK-së.
MC Kresha tha se ai ishte një vendim tronditës, një vendim i cili bën pis luftën dhe gjakun e dëshmorëve.
Sipas MC Kreshës, është për të ardhur keq kur sheh që pati shumë më pak dëshmitarë në kohën e gjykimit të kriminelëve serbë, sesa në gjyqin ndaj komandantëve të UÇK-së.
Pjesë nga biseda:
Fjora: Do t’ju them arsyen pse Niku sot ishte në Kosovë dhe u kthye. Ai nuk mund të mos ishte në protestën e radhës të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, që ishte një lajm shumë i hidhur. Ti ke dalë haptazi, dukshëm pa pasur frikë nga ngjyrimet politike. Sa i rëndësishëm është arti për të çuar mesazhe të tilla?
MC Kresha: Ky gjykim është diçka që e ka prekur popullin shqiptar në dinjitetin e pastërtisë së luftës. Kjo e njollos emrin, gjakun e derdhur të gjithë dëshmorëve që i kemi të varrosur, prej tyre edhe qindra nga Shqipëria. Për mendimin tim, kjo nuk duhet të ndodhte, por meqenëse ka ndodhur, duhet të kishte reagim. Unë mendoj që duhet të kishte pasur reagim para se të kishte vendim. Ne ishim të vetëdijshëm që kjo do të ndodhte dhe e dimë që Serbia ka shërbim sekret më të vjetër se Amerika. Dy ditët e para nuk reagova, pasi kam qenë në shok të madh. Edhe pse e prisja, nuk mund ta merrja me mend që mund të dënoheshin krerët e UÇK-së me dënime drakoniane, krahas kriminelëve serbë.
Fjora: Dhe janë dënuar më pak.
MC Kresha: Jo vetëm janë dënuar më pak, por të turpshme. Për kriminelët serbë ka pasur më pak dëshmitarë sesa për krerët e UÇK-së. UÇK-ja është ushtria e dytë më e suksesshme guerile, prandaj kjo na ka dhënë një shok të madh, një shok kombëtar. Dua të falënderoj edhe popullin shqiptar që ka marrë pjesë në protesta. Unë nuk jam nga ata që jam shumë aktiv në rrjetet sociale, pasi po bëj një punë tjetër dhe po merrem seriozisht, por prapë se prapë dua të them se patriotizmi nuk ka njësi matëse, ose je, ose nuk je.




