
Prokuroria e Posaçme ka marrë përsipër hetimet për sasinë e 41 kilogramëve kokainë që u gjendën më 14 shtator në Portin e Durrësit në pjesën e jashtme të një konteineri që transportonte mish pule dhe vinte nga Brazili.
Konteineri me mish pule ishte për llogari të kompanisë DIMAL, por deri më sot nuk ka asnjë provë që e lidh këtë shoqëri me kokainën.
Ndërkohë SPAK do të intensifikojë hetimet për të zbuluar pronarin e drogës, kjo duke ndjekur gjurmët e porosisë.
Konteineri ku u gjet sasia e lëndës narkotike, ishte i ngarkuar me mish pule që ishte nisur nga Brazili drejt vendit tonë, porositur nga kompania AMG Food, në pronësi të Arben dhe Mondi Goxhajt.
Sipas Policisë së Durrësit, kokaina e kapur, në rast se do të shitej në treg, do të kapte një vlerë rreth 2 milionë euro. Droga ishte e ndarë në 37 pako, ndërkohë që kontejneri ishte nisur 62 ditë më parë nga Brazili.
Mësohet se SPAK dhe hetuesit ndërkombëtarë shkëmbyen informacion në kohë reale për kapjen e kësaj sasie, ndërsa dyshimet janë se droga i përket grupeve kriminale shqiptare me bazë në Belgjikë, të goditura pak ditë përpara kapjes së drogës.
Por ajo çka u tha në lidhje me sasinë, e lidh këtë ngjarje me grupin e Gerd Gjinararit, i njohur si “Gjenerali”, i arrestuar pak muaj më parë në Belgjikë.
Në deklaratën e tij, Aerts njoftoi goditjen e një grupi shqiptar të trafikut të kokainës në Antwerp tha se “si pjesë e hetimit, u zhvillua një bashkëpunim i ngushtë me vendet e tjera dhe me Europolin.
“Kjo mund të rezultojë në arrestime jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, një ngarkesë prej 37 kilogramësh kokainë u sekuestrua në Shqipëri, në një kontejner frigoriferik”, tha Kristof Aerts, zëdhënësi i Prokurorisë së Antwerp-it, shkruanin mediat belge.
Nga ana e SPAK, pritet të zbardhen detaje të reja që do të çojnë në zbardhjen e plotë dhe gjetjen e pronarëve realë.
Kokaina e nisur nga Brazili, kishte kaluar më parë tranzit përmes Greqisë./Versus.al

