A e ekspozoi SPAK së tepërmi SHISH-in?

28 Shtator 2026, 17:20Blog Nga Fatos Çoçoli

Një javë më pare, më 21 shtator 2026, Gjykata e Posaçme (GJKKO) miratoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës “Arrest në shtëpi” për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni. Lajmi bëri xhiron e botës. Për herë të parë në historinë botërore të shërbimeve të inteligjencës, një drejtues shërbimi kërkohet të arrestohet, ndërsa po kryen detyrën.

Ekspertë të sigurisë kombëtare shprehen se SPAK mund t’ja kishte kursyer këtë ekspozim të rëndë Shërbimit Informativ Shtetëror. Ata arsyetojnë se SPAK dhe GJKKO mund të kishin gjetur forma të kishin gjetur forma të tjera për të siguruar hetimin e plotë dhe pa rrezik për prishje provash të drejtueses së SHISH, por edhe duke mos e ulur përtokë reputacionin dhe imazhin e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Rasti Vlora Hyseni nuk mund të shihet vetëm si një procedim individual penal. Për shkak të funksionit që ajo ka mbajtur, mënyra se si zhvillohet dhe komunikohet një hetim i tillë prek drejtpërdrejt edhe sigurinë tonë kombëtare, funksionimin e institucioneve të inteligjencës dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Ishte SPAK në kërkim të një gjyqi popullor të dytë?

Për këtë arsye lind një pyetje legjitime institucionale: a ishte e domosdoshme që për drejtuesen e SHISH të kërkohej masa më e rëndë në një proces hetimor? Si dhe që çështja të ekspozohej publikisht në këtë mënyrë, apo ekzistonin mekanizma të tjerë institucionalë, që mund të ruanin njëkohësisht hetimin penal, por edhe interesin e sigurisë sonë kombëtare?

Pas kësaj lind menjëherë pyetja tjetër: duke e ekspozuar së tepërmi SHISH-in me kërkesën për arrestimin e drejtueses së tij, a mos po kërkon SPAK një “gjyq popullor” të dytë, pas rastit Balluku?

Si qytetarë do të donim shumë të besonim në seriozitetin e SPAK dhe mos-përkushtimin e tij ndaj gjyqeve popullorë, por rrjedhjet ne rrjetet sociale dhe historia e interpretimeve të banaqeve televizive pas këtyre rrjedhjeve, të bëjnë të dyshosh mos vërtet, për fat të keq, SPAK ishte në kërkim të një gjyqi popullor të dytë?

Po përse? Sepse SHISH nuk është një institucion i zakonshëm administrativ i shtetit tonë. Drejtuesi i një shërbimi informativ nuk është thjesht një nëpunës i lartë publik. SHISH administron informacion sensitiv, burime njerëzore, metoda operative dhe marrëdhënie të klasifikuara me struktura homologe të vendeve aleate.

Prandaj dhe çdo procedim penal ndaj drejtuesit të tij ka një dimension të dyfishtë: dimensionin e drejtësisë penale, si për çdo nëpunës tjetër shtetëror, por edhe dimensionin e sigurisë kombëtare. Kjo do të thotë që, vërtet hetimi duhet të jetë maksimalisht i pavarur, por njëkohësisht, ai duhet të jetë edhe maksimalisht i kujdesshëm, për të mos ekspozuar metoda, burime apo marrëdhënie operative që mund të dëmtojnë shtetin tonë.

Pyetja kryesore nuk është nëse drejtuesi i SHISH-it mund të hetohet apo jo. Sigurisht që mund të hetohet. Asnjë funksion publik nuk duhet të krijojë imunitet nga ligji. Por pyetja, njëherë që SPAK ka dyshime apo prova të arsyeshme për të hapur hetimin, është: cila është mënyra institucionale më e përshtatshme për të hetuar një drejtues të shërbimit inteligjent, pa cenuar funksionimin e vetë institucionit?

Nëse ekzistonin dy rrugë, largimi i drejtueses nga funksioni dhe më pas vijimi i procedimit penal, ose arrestimi i saj, ndërkohë që ajo ishte ende në krye të SHISH, zgjedhja e njërës prej këtyre dy rrugëve ka pasoja shumë të ndryshme institucionale.

Në rastin e parë, institucioni mund ta izolojë më lehtë problemin individual. Në tjetrin, vetë institucioni rrezikon të bëhet pjesë e vëmendjes publike dhe ndërkombëtare ndaj një hetimi penal. E ka shtruar ndonjëherë pyetjen SPAK: sa dëmtohet SHISH dhe siguria jonë kombëtare, duke zgjedhur procedimin penal të dytë?

A ishte e mundur zgjidhja tjetër institucionale?

Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Dorëheqja ose shkarkimi nga detyra nuk e pengon një hetim penal. Nëse një person dyshohet për vepra penale, largimi nga funksioni nuk e mbyll çështjen. Përkundrazi, kjo zgjedhje mund të krijonte një ndarje më të qartë midis institucionit SHISH dhe personit që drejtonte SHISH-in.

Nëse një drejtues jep dorëheqjen dhe më pas përballet me drejtësinë, mesazhi institucional është (në rasin konkret pa dëmtuar sigurinë kombëtare): institucioni vazhdon të funksionojë, ndërsa individi përgjigjet personalisht për veprimet për të cilat dyshohet.

Nëse një drejtues arrestohet, ndërkohë që drejton ende një institucion inteligjence, atëhere vëmendja publike dhe ndërkombëtare zhvendoset nga përgjegjësia individuale, tek vetë institucioni. Dhe këtu ne si shtet dhe madje edhe komb, dalim shumë të humbur.

Kjo është një diferencë e rëndësishme.

Dhe disa pyetje të tjera lindin natyrshëm: A mos po zhvillohet në Shqipëri një model, ku procedimet ndaj zyrtarëve shumë të lartë marrin një dimension të jashtëzakonshëm publik, përpara se gjykata të shprehet për përgjegjësinë e tyre?

Për fat të keq po. Kjo ndodhi në rastet Veliaj, Balluku dhe tani po ndosh me rastin Hyseni. Dhe problemi këtu nuk është vetëm juridik. Eshtë edhe institucional.

Sepse drejtësia duhet të prodhojë vendim gjyqësor, jo një verdikt të opinionit publik. Media, politika, rrjetet sociale dhe debatet publike mund të diskutojnë një çështje. Por ato nuk duhet të zëvendësojnë gjykatën. Këtu tek ne, duket sikur po ndodh pikërisht kjo. Një gjyq popullor, bazuar në mënyrën e komunikimit nga SPAK të një procedimi të tij shumë të rëndësishëm penal vërtet, por ama jo se, si përfundim një gjyq i tillë po zhvillohet realisht.

Kur bëhet fjalë për drejtuesen e një institucioni kaq sensitiv publik, sa shërbimi inteligjent, vetë lajmi për kërkesën për arrest shtëpiak krijon një efekt shumë të fortë tek qytetarët, por edhe tek shërbimet inteligjente partnere. Efekt që po e vuan sot fort edhe vetë institucioni i shërbimit inteligjent të vendit.

Për SHISH-in, reputacioni institucional nuk është thjesht çështje personale e ish-0drejtueses së tij. Ai lidhet edhe me besueshmërinë e institucionit. Prandaj dhe SPAK mund dhe duhej të ishte treguar i fortë sa u tregua, por edhe i matur njëkohësisht.

Lini një Përgjigje