TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Bateritë e vjetra të makinave elektrike mund të marrin një jetë të dytë, duke u përdorur për ruajtjen e energjisë së prodhuar nga dielli dhe era. Edhe pasi nuk janë më të përshtatshme për përdorim në automjete, ato mund të shërbejnë si depo energjie dhe ta furnizojnë rrjetin elektrik në momentet kur kërkesa është më e lartë.
Kjo mundësi shihet si një alternativë me potencial për Europën, e cila po prodhon gjithnjë e më shumë energji nga burimet e rinovueshme.
Vetëm gjatë vitit 2024, në Bashkimin Europian u humbën rreth 10 teravat-orë energji të rinovueshme, me një vlerë të përllogaritur prej 4.3 miliardë eurosh.
Në këtë situatë, bateritë e makinave elektrike mund të luajnë një rol të rëndësishëm. Edhe kur nuk janë më të përshtatshme për përdorim në një automjet, ato mund të ruajnë ende rreth 70 deri në 80 për qind të kapacitetit të tyre fillestar.
Në praktikë, bateritë mund të karikohen gjatë orëve kur prodhohet më shumë energji, për shembull nga panelet diellore, dhe më pas ta japin energjinë e ruajtur gjatë mbrëmjes, kur konsumi rritet.
Kjo do të mundësonte që energjia e prodhuar në periudhat me tepricë të mos humbiste, por të ruhej dhe të përdorej në momentet kur rrjeti ka më shumë nevojë për të.
Ekspertët presin që kjo mundësi të bëhet edhe më e rëndësishme në të ardhmen. Numri i makinave elektrike është rritur ndjeshëm në Europë dhe, bashkë me to, pritet të shtohet edhe numri i baterive që dalin nga përdorimi për automjetet.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, më shumë se një milion bateri të makinave elektrike mund të arrijnë në fund të jetës së tyre deri në vitin 2030.
Në vend që këto bateri të kthehen menjëherë në mbetje, ato mund të përdoren për vite të tjera si depo energjie. Kjo do të ndihmonte në shfrytëzimin e energjisë që sot humbet dhe do t’i jepte Europës një mënyrë shtesë për të përballuar kërkesën në rritje për energji.