
Kreu i ri i SHISH, Elvis Lila u shfaq sot për herë të parë në publik, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i thirrur nga presidenti Bajram Begaj.
Lila ishte mes titullarëve të lartë të shtetit, i ulur në mbledhjen e Këshillit që u mbajt me urgjencë pas skandalit të SHISH, ku ish-kreu i saj Vlora Hyseni u mor në hetim nga SPAK dhe u vu në “arrest shtëpiak”.
Në pamjet e publikuara nga presidenca shihet edhe Lila, çka përbën edhe shfaqjen e tij të parë për publikun.
Por kush është Elvis Lila?
Lila është një oficer karriere prej 20 vitesh në SHISH. Ai ka punuar si oficer drejtimi në një nga departamentet e SHISH.
Kur shërbimi i inteligjencës drejtohej nga Helidon Bendo, Lilës iu besua drejtoria e re e krijuar, e njohur si Drejtoria e Performancës. Më pas Lila ka drejtuar kundraspiunazhin.
Kur Vlora Hyseni mori drejtimin tre vite më parë e emëroi Lilën si drejtor te departamentit për çështjet operacionale.
Burime nga Inteligjenca tregojnë se Lila ka qenë një nga bashkëpunëtoret më te afërt të Hysenit në çështjet e kundrazbulimit.
Ndërsa Kiço Sterjo, i emëruar prej saj si shef kabineti, është marrë me anën menaxheriale të burimeve njerëzore në SHISH.

