“Kam dashur të largohem nga muzika”/ Rrëfehet MC Kresha, nga dedikimi për familjen te miqësia me Lyrical Son: Grindemi për çdo gjë!
Reperi MC Kresha, si rrallëherë, ka rrëfyer momente të rëndësishme nga jeta e tij, duke nisur nga miqësia me Lyrical Son, te periudha e vështirë kur kishte menduar të largohej nga muzika.
I ftuar në studion e “Takohemi n’Vizion”, reperi foli hapur për jetën personale dhe projektet e reja muzikore.
MC Kresha njoftoi se së shpejti do të publikohet albumi i tij i ri, i cili do të përmbajë rreth 40 këngë.
“Do dalë së shpejti albumi i ri. Janë 40 këngë. Brenda dy muajve kam nxjerrë 3 këngë me artistë të rinj”, tha MC Kresha për Vizion Plus.
Gjatë intervistës, MC Kresha zbuloi edhe “sekretin” e miqësisë me reperin Lyrical Son.
“Lyrical Son është njeri i bekuar muzikalisht. Jo se e kam unë shok. Unë dhe Festimi jemi njohur në janar të vitit 2000 përmes shokëve të përbashkët. Shoqëria jonë ka zgjatur se unë dhe Festimi debatojmë në çdo gjë. Grindemi. E vetmja gjë që s’jemi grindur kurrë janë lekët. E vetmja mënyrë që ne zihemi për lekët është se cili duhet të paguajë”, u shpreh ai.
MC Kresha u shpreh se ideja e tyre ka qenë gjithmonë të linin gjurmë përmes muzikës dhe jo të ndiqnin famën.
“Ideja jonë ishte gjithmonë të kishim impaktin e duhur. Ka nisur si një ide, jo për të qenë të famshëm”, tha reperi.
Ai rrëfeu gjithashtu se në vitin 2018 kishte menduar ta linte muzikën.
“Kam dashur ta lija muzikën në vitin 2018. Unë i marr gjërat me sportivitet, ndaj dhe është kjo arsyeja pse vishem me tuta”, u shpreh me batuta MC Kresha.
Në fund të intervistës, këngëtari iu drejtua familjes së tij, duke i përshëndetur nga studioja e “Takohemi n’Vizion”.
“Ju dua! Më mungoni, së shpejti do jemi aty ku duhet”, përshëndeti ai familjen e tij.
/vizionplus.tv




