TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Detaje të reja janë bërë të ditura nga ngjarja tragjike në Plaka të Greqisë, ku si pasojë e një shpërthimi në një ndërtesë humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë.
Sipas hetimeve të autoriteteve greke, dyshohet se rrjedhja e gazit natyror, që shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës dhe shembjen e ndërtesës në rrugën “Lysikratous”, ka nisur nga apartamenti në katin e dytë, ku banonte një çift i moshuar, i cili gjithashtu humbi jetën.
Hetuesit kanë përjashtuar deri tani mundësinë e një rrjedhjeje nga tubacioni kryesor i gazit në zonë dhe dyshimet janë përqendruar te instalimi i brendshëm i apartamentit në katin e dytë, i cili ishte i vetmi në ndërtesë me furnizim aktiv me gaz.
Në banesë ishin të lidhura tre pajisje me gaz: një sobë, një oxhak dhe një ngrohës uji. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se cila prej tyre mund të ketë qenë burimi i rrjedhjes.
Mediat greke raportojnë se kontrollet në rrjetin qendror të furnizimit me gaz nuk kanë evidentuar asnjë rrjedhje. Edhe pas verifikimeve në trotuar dhe në pjesën e rrjetit që lidhet me ndërtesën, instalimi rezultoi i izoluar dhe pa probleme.
Për këtë arsye, hetuesit po përqendrohen te mundësia që rrjedhja të ketë ndodhur brenda apartamentit të çiftit të moshuar.
Një tjetër element që po shqyrtohet nga autoritetet është fakti se, para shpërthimit, nuk ishte raportuar ndonjë erë gazi në zonë dhe nuk kishte pasur denoncime për një rrjedhje të mundshme.
Hetuesit po analizojnë me kujdes rrënojat e ndërtesës dhe instalimet e gazit për të përcaktuar se nga ka nisur rrjedhja dhe çfarë e ka shkaktuar ndezjen që solli shpërthimin e fuqishëm.
Familjarët e viktimave mbërrijnë në Greqi
Ndërkohë, familjarët e viktimave mbërritën të dielën në Greqi me kërkesë të autoriteteve. Ata do të japin material gjenetik për kryerjen e analizave të ADN-së, në kuadër të procesit të identifikimit të trupave.
Nga shpërthimi dhe shembja e ndërtesës në rrugën “Lysikratous” humbën jetën gjashtë persona.
Mes viktimave janë shqiptarët Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, Eris Cani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha, si dhe çifti i të moshuarve, Athina Paparesku dhe Edmond Hings.
Një prej detajeve më tragjike të bëra publike pas ngjarjes është se Florinda Hoxha dhe Ian Kirkpatrick kishin shkuar në Greqi për muajin e mjaltit, ndërsa Eris Cani raportohet se ishte në muajin e tretë të shtatzënisë.
Hetimet vijojnë për shkakun e shpërthimit
Pavarësisht të dhënave të para, shkaku përfundimtar i shpërthimit ende nuk është përcaktuar.
Autoritetet po vijojnë ekzaminimet teknike për të zbuluar se cila pajisje apo pjesë e instalimit mund të ketë shkaktuar rrjedhjen e gazit dhe më pas shpërthimin.
Ekspertizat në vendngjarje dhe analizat e provave të mbledhura nga rrënojat pritet të japin përgjigje përfundimtare mbi shkaqet e tragjedisë që tronditi Plakën e Athinës.