Një avion i kompanisë Delta Air Lines, që udhëtonte nga Barcelona drejt Bostonit, ka kryer një ulje emergjente të dielën pasdite në Porto të Portugalisë, pasi në bord u raportua prani tymi në kabinën e avionit.
Fluturimi DL251 u devijua drejt Portos, ku avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroportin Francisco Sá Carneiro, njoftoi kompania ajrore.
Sipas të dhënave të Flightradar24, Airbus A330 u nis nga Barcelona rreth orës 15:15 dhe mbërriti në Porto rreth orës 17:45.
Pas uljes, disa prej pasagjerëve morën ndihmë mjekësore. Autoritetet portugeze të emergjencave dhe mbrojtjes civile bënë me dije se tetë persona u trajtuan në pistë, ndërsa tre të tjerë u transportuan në spital për kontrolle dhe trajtim të mëtejshëm.
Një zëdhënës i autoritetit portugez për emergjencat dhe mbrojtjen civile deklaroi se ulja emergjente u krye për shkak të pranisë së tymit në kabinën e avionit.
Deri tani, nuk janë raportuar detaje të tjera lidhur me burimin e tymit apo gjendjen e personave të dërguar në spital.


