Gjykata e Posaçme është futur në një ngërç funksional. Prej tre javësh në të nuk është zhvilluar asnjë gjykim në themel. Proceset kanë dështuar për shkak të bojkotit të avokatëve, që kërkojnë rishikim të një rregulloreje të gjykatës. Nga e hëna, avokatët nisën bojkot edhe të seancave të masave të sigurimit.
Një rregullore e re e brendshme në Gjykatën e Posaçme, që nisi të zbatohet prej datës 1 shtator, po e çon këtë gjykatë në kolaps. Të hënën, radha e dështimit të gjyqit i ra mes të tjerëve dosjes “Partizani”, kryebashkiakut të Shkodrës, apo edhe Emiliano Shullazit. Proceset në GJKKO, janë në ngërç prej 8 shtatorit, kur avokatët vendosën të bojkotojnë çdo gjykim në themel. Mes bojkotit mbrojtësit kërkojnë rishikim të rregullores, që sipas tyre, i kufizon në ushtrimin e profesionit të avokatit.
Për më shumë se dy javë, bojkoti i avokatëve u injorua nga Gjykata e Posaçme. Në disa seanca mbrojtësit u gjobiten nga gjykata me nga 10-50 mijë lekë me arsyetimin e mungesës së papërligjur.
Më 23 shtator avokatët përshkallëzuan revoltën, duke vendosur të bojkotojnë edhe seancat për caktimin, vlerësimin apo zëvendësimin e masave të sigurisë. Bojkoti total nisi nga e hëna. Në të njëjtin vendim, Dhoma e Avokatisë tërhoqi listën e avokatëve kryesisht nga Gjykata e Posaçme, duke e lënë thatë nga mbrojtësit. Kjo do të thotë, se nëse një i arrestuar nga SPAK shkon për masë sigurie në gjykate, ai do të mbetet pa mbrojtje, duke ju mohuar kështu një e drejtë kushtetuese. Ditën e parë të bojkotit total nga avokatët në GJKKO nuk pati masa sigurie, ndërsa nuk është e qartë si do të veprohet prej saj në ditët në vijim. Për ironi, në të njëjtën godinë, në Gjykatën e Posaçme të Apelit, që ka një tjetër rregullore, proceset vijojnë normalisht.
E ndërsa avokatët kërkojnë rishikimin e rregullores dhe gjykata nga ana tjetër nuk bën hapa pas, të humburit e mëdhenj janë të pandehurit, që më së paku po ju zvarriten proceset gjyqësore. Për ata janë në masën e sigurisë “arrest në burg”, me apo pa faj, po ju zgjatet koha e qëndrimit në qeli. /A2












