• Kontakt
Monday, September 28, 2026
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Kur skandali kthehet në sukses/ Anatomia e një fjalimi të Edi Ramës

18:28 : 28/09/2026
në AKTUALITET, KRYESORE, POLITIKE

Ka një moment interesant në politikë kur një problem pushon së qeni problem dhe shndërrohet në provë suksesi. Jo sepse problemi është zgjidhur. Por sepse është ndryshuar mënyra se si flitet për të.

Në daljen publike pas vendosjes në arrest shtëpie të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, Edi Rama bëri pikërisht këtë. Një çështje që nisi me një ish-zyrtare të lartë nën hetim, sigurinë kombëtare dhe informacionin e klasifikuar, përfundoi në një rrëfim shumë më të madh: për korrupsionin, drejtësinë, opozitën, mediat, të shkuarën e Shqipërisë dhe, mbi të gjitha, për vetë Edi Ramën.

Fjalimi ia vlen të dëgjohet jo vetëm për atë që Rama tha, por për mënyrën se si e ndërtoi argumentin. Sepse në rreth gjysmë ore ndodh një transformim retorik i jashtëzakonshëm: Një skandal potencial për qeverinë kthehet në provë të suksesit të qeverisë.

Nga rasti individual te historia e një qeverisjeje

Rama nis me një pozicion institucional.

Lexo edhe:

Shpërthen në flakë makina në qendër të Elbasanit

Këshilli i Sigurisë përforcon alibinë e Ramës për Vlora Hysenin

Ai nuk hyn në provat e çështjes, nuk merr rolin e prokurorit apo gjykatësit dhe thekson se çdo akuzë duhet të provohet ose rrëzohet në një proces të pavarur dhe të paanshëm. Është një pozicion i arsyeshëm.

Në retorikë, ky pozicion ndërton ethos institucional: folësi përpiqet të krijojë besueshmëri duke u paraqitur si kryeministër që njeh kufijtë e pushtetit të vet dhe respekton pavarësinë e drejtësisë.

[00:00:49–00:02:25]

Por pak minuta më vonë, objekti i fjalimit fillon të ndryshojë.

Vlora Hyseni ia lë vendin SHISH-it. SHISH-i rrjedhjes së sekreteve hetimore. Prej andej kalohet te media, pastaj te korrupsioni, opozita, qeveria dhe, gradualisht, te vetë kryeministri.

Rreth minutës së dhjetë, Rama e ndan qartë rastin individual nga ajo që ai e quan “kuptimi politik” i zhvillimit. Prej atij momenti nuk po flitet më kryesisht për Vlora Hysenin. Po flitet për Edi Ramën.

Ky është reframing: tema fillestare vendoset brenda një kornize të re dhe shumë më të gjerë, ku pyetja nuk është më vetëm se çfarë ka ndodhur me një ish-zyrtare të lartë, por se çfarë dëshmon rasti për qeverinë, drejtësinë dhe vetë kryeministrin.

Alkimia politike e korrupsionit

Argumenti qendror vjen pak më pas.

Rama kundërshton idenë se hetimet ndaj njerëzve me funksione të larta apo të lidhur me qeverinë provojnë se vendi është zhytur në korrupsion. Përkundrazi, sipas tij, ato provojnë se drejtësia funksionon dhe se korrupsioni po goditet.

[00:11:26–00:13:28]

Këtu ndodh alkimia politike e fjalimit. Formula: Zyrtarë të lartë nën hetim → problem korrupsioni zëvendësohet me: Zyrtarë të lartë nën hetim → drejtësia funksionon → reforma funksionon → korrupsioni po luftohet.

Pjesa e parë e argumentit është krejtësisht e mundshme. Në një shtet ku drejtësia bëhet më e pavarur, rritja e numrit të hetimeve nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e korrupsionit. Mund të tregojë se korrupsioni po zbulohet dhe ndiqet më shumë.

Por Rama bën edhe një hap tjetër. Hetimet, sipas tij, provojnë se shumica qeverisëse “nuk është e korruptuar”. Dhe pikërisht këtu argumenti këputet.

Fakti që një drejtësi e pavarur heton korrupsionin nuk provon se pushteti politik është i pakorruptuar. Mund të provohen njëkohësisht dy gjëra: se drejtësia është bërë më e aftë të godasë pushtetin dhe se korrupsioni në nivelet e larta vazhdon të jetë problem serioz.

Njëra nuk përjashton tjetrën.

Në logjikën e argumentimit kjo quhet non sequitur: përfundimi nuk rrjedh domosdoshmërisht nga premisa. Nga “drejtësia po heton njerëz të pushtetit” mund të argumentohet se drejtësia është më e lirë të veprojë. Nuk mund të konkludohet vetëm prej kësaj se “shumica qeverisëse nuk është e korruptuar”.

Faji është individual. Merita është kolektive.

Këtu shfaqet ndoshta mekanizmi më elegant i gjithë fjalimit. Kur një zyrtar apo bashkëpunëtor përballet me drejtësinë, përgjegjësia është individuale.

Rama thotë se individi duhet të mbajë përgjegjësinë e vet dhe, pak më vonë, pyet se si mund ta dijë kryeministri çfarë bën çdo vartës. Kryeministri nuk mund të përgjojë bashkëpunëtorët dhe nuk mund t’u lexojë mendjen.

[00:14:24–00:17:07]

Pra: Faji i takon individit. Por kur drejtësia e kap individin, logjika ndryshon. Atëherë funksionimi i drejtësisë bëhet rezultat i reformës. Dhe autorësia e reformës, sipas Ramës, është e tij dhe e Partisë Socialiste.

Në fund ai e thotë pa ekuivok: “autorësinë […] nuk e negociojmë me askënd. Është imja dhe e Partisë Socialiste”.

[00:30:23–00:31:16]

Kështu krijohet një mekanizëm politik pothuajse perfekt. Nëse zyrtari rezulton i pafajshëm, qeveria nuk ka problem. Nëse zyrtari rezulton i korruptuar dhe kapet, reforma e qeverisë funksionon.

Përgjegjësia individualizohet. Merita kolektivizohet.

Në të dy skenarët, narrativa e qeverisë mbijeton. Në analizën e argumentimit kjo i afrohet një self-sealing argument: informacioni që potencialisht mund ta sfidonte narrativën absorbohet prej saj dhe shndërrohet në konfirmim.

Hetimi i një njeriu të pushtetit nuk bëhet kundërprovë ndaj narrativës së qeverisjes. Bëhet provë se reforma e qeverisë po funksionon.

“Korrupsion, korrupsion, korrupsion”

Pastaj vjen refreni. Rama e përsërit disa herë: “korrupsion, korrupsion, korrupsion…”

Në një moment e paraqet si “bombën” që kundërshtarët hedhin mëngjes, drekë dhe darkë në televizione dhe rrjete sociale.

[00:23:55–00:25:31]

Përsëritja nuk është e parëndësishme. Sepse Rama nuk përsërit rastet konkrete, kontratat, emrat, vendimet apo akuzat konkrete të kritikëve. Ai përsërit karikaturën e kritikës: Korrupsion! Korrupsion! Korrupsion!

Një problem kompleks shndërrohet në një refren monoton. Dhe një refren monoton është shumë më i lehtë për t’u përqeshur sesa një dosje konkrete.

Këtu ndërthuren dy mekanizma të njohur retorikë: straw man, ku argumenti i kundërshtarit reduktohet në një version më të dobët dhe më të lehtë për t’u sulmuar, dhe ridicule, ku përqeshja dobëson seriozitetin e argumentit përpara publikut.

Në vend që publiku të pyesë për rastet, kontratat, vendimet, provat dhe përgjegjësinë politike, debati mund të reduktohet në përshtypjen se kundërshtarët vetëm bërtasin: “Korrupsion! Korrupsion! Korrupsion!”

Një akuzë konkrete është e verifikueshme. Një refren është i përqeshshëm.

“Si mund ta dijë kryeministri?”

Një tjetër moment domethënës vjen kur Rama ndryshon vetë pyetjen.

Jo: “Si nuk e dinte kryeministri?”, por: “Si mund ta dijë kryeministri?”

[00:16:04–00:17:07]

Dallimi duket i vogël. Nuk është. Pyetja e parë kërkon përgjegjësi. E dyta sugjeron pamundësi.

Nëse standardi është që kryeministri duhet të lexojë mendjen e çdo vartësi për të mbajtur përgjegjësi politike, atëherë sigurisht që standardi është absurd.

Por përgjegjësia politike nuk është telepati. Pyetjet mund të jenë të tjera. Si u përzgjodh një zyrtar? Çfarë mekanizmash kontrolli ekzistonin? A kishte sinjale paralajmëruese? A funksionoi mbikëqyrja? Kush e emëroi? Si reagoi institucioni? Problemi ishte individual apo sistemik?

Të gjitha këto zhduken kur pyetja transformohet në: “Si mund t’ia lexoja mendjen?”

Ky është një kombinim i reframing dhe, potencialisht, straw man: standardi real i përgjegjësisë politike zëvendësohet me një standard ekstrem, aftësinë e kryeministrit për të ditur paraprakisht mendimet apo veprimet e fshehta të vartësve dhe më pas ky standard, natyrisht, rrëzohet si i pamundur.

Pastaj Rama bëhet vetë tema

Diku në mes të fjalimit, “qeveria” fillon të zëvendësohet nga “unë”.

Rama flet për 28 vjet në shërbim publik. Për paratë. Pronat. Familjen. Kullat. Oligarkët. Kriminelët. Avionët privatë. Dhuratat. Dhe sfidon kundërshtarët: Sillni një provë se para kanë përfunduar në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sime në këmbim të firmës sime.

[00:18:01–00:19:38]

Por këtu ndryshon përsëri pyetja. Pretendimi: “Ka korrupsion në qeverisje”, nuk është i njëjtë me: “Edi Rama ka marrë para personalisht në xhep”.

As pretendimi se një vendim shtetëror mund të ketë favorizuar një interes privat nuk është domosdoshmërisht identik me pretendimin se kryeministri ka marrë ryshfet personalisht.

Spektri i kritikës ngushtohet në një standard të vetëm: Ku janë paratë në xhepin tim?

Në argumentim ky mekanizëm mund të përshkruhet si narrowing the claim ose moving the argumentative target: një pretendim i gjerë për korrupsionin, favorizimin apo përgjegjësinë politike ngushtohet në një pretendim shumë më specifik për përfitimin financiar personal të kryeministrit.

Nëse nuk provohet kjo, krijohet përshtypja se rrëzohet edhe gjithçka tjetër. Por nuk është kështu.

“Nuk jam engjëll”

Rama përdor edhe një teknikë tjetër të vjetër të retorikës. “Mund të kem fajet e mia, me siguri i kam, nuk jam engjëll…”

[00:19:40–00:20:13]

Është një pranim i vogël që përgatit një mohim të madh. Në retorikë njihet si concessio.

Folësi pranon se nuk është perfekt. Kjo e bën më njerëzor, më të besueshëm dhe, psikologjikisht, e bën më të fuqishëm mohimin që pason: Kam gabime, por këtë nuk e kam bërë.

Këtu Rama zhvendoset nga ethos-i institucional i fillimit drejt një ethos-i personal: jo vetëm “respektoj institucionet”, por “më njihni mua dhe karakterin tim”.

Kur thotë se “kush më njeh e di mirë”, karakteri personal bëhet pjesë e argumentit. Nuk është provë. Është ethos. Dhe ethos-i është një nga armët më të vjetra dhe më efektive të bindjes.

E shkuara hyn në sallë

Pastaj Rama kthehet pas.

Vrasjet në bulevard. Gërdeci. Konflikti me Prokuroren e Përgjithshme. Drejtësia e kontrolluar. Zyrtarët e mbrojtur nga pushteti.

[00:25:52–00:29:08]

Kontrasti ndërtohet qartë: ATA: drejtësi e kontrolluar, pandëshkueshmëri, korrupsion. NE: drejtësi e pavarur, hetime edhe ndaj njerëzve tanë, vetëpastrim.

Krahasimi historik është legjitim. Shqipëria e sotme duhet krahasuar me Shqipërinë e djeshme. Por krahasimi kthehet në whataboutism kur përdoret për të zëvendësuar pyetjen e së tashmes.

Edhe nëse dje ishte shumë më keq, kjo nuk i përgjigjet pyetjes: Çfarë përgjegjësie ka pushteti i sotëm për atë që ndodh sot? E keqja e djeshme nuk është certifikatë pafajësie për të sotmen.

Në të njëjtën kohë krijohet një binary framing,një kornizë me dy pole morale: Shqipëria e tyre dhe Shqipëria jonë; drejtësia e kontrolluar dhe drejtësia e çliruar; e shkuara dhe e ardhmja. Problemi është se realiteti mund të mos jetë binar.

Nga kryeministri te protagonisti historik

Në pjesën e fundit gjuha ndryshon përsëri. Shfaqen “historia”, “Shqipëria”, “flamuri”, “Europa”, “transformimi”, “reforma e reformave”, “sfida e sfidave”, “përmbysja e të gjitha përmbysjeve”. Dhe pastaj: “autorësinë […] nuk e negociojmë me askënd. Është imja dhe e Partisë Socialiste.”

[00:29:12–00:31:16]

Këtu reforma nuk është më thjesht një reformë institucionale. Ajo bëhet histori politike. Dhe historia merr autor. Reforma → PS → Rama.

Ky është një hero narrative ose leader-centred narrative: një transformim kompleks institucional lidhet gjithnjë e më shumë me vullnetin, betejën dhe autorësinë e liderit.

Këtu ka një tension interesant. Nga njëra anë, drejtësia paraqitet si plotësisht e pavarur nga pushteti. Nga ana tjetër, suksesi i saj përvetësohet politikisht nga pushteti që thotë se e çliroi. Qeveria mund të pretendojë meritë për krijimin apo mbështetjen e kushteve që lejuan pavarësinë e drejtësisë. Por ekziston një vijë që nuk duhet zhdukur: “SPAK hetoi X” nuk është e njëjta gjë me “Qeveria luftoi X”.

Nëse institucionet janë të pavarura, merita për veprimet e tyre konkrete u takon institucioneve.

Dhe pastaj vjen metafora më e fuqishme

Në fund, korrupsioni bëhet sëmundje. Shteti bëhet organizëm. Drejtësia bëhet sistem imunitar. Dhe Shqipëria fillon të “vetëpastrohet”.

Rama thotë se dikur korrupsioni ishte sistemi, ndërsa sot sistemi po lufton korrupsionin. Procesin e përshkruan si të zhurmshëm, të pistë dhe të dhimbshëm, por si pjesë të një organizmi që po fiton imunitet ndaj sëmundjeve të vjetra.

[00:32:22–00:34:16]

Kjo është metaphorical framing: metafora nuk shërben vetëm për ta zbukuruar fjalimin, por për t’i dhënë publikut një model për ta kuptuar realitetin. Dhe është ndoshta metafora më e rëndësishme e gjithë fjalimit. Sepse ndryshon kuptimin e skandalit. Skandali nuk është më simptomë e sëmundjes. Skandali bëhet simptomë e shërimit.

Sa më shumë raste dalin, aq më shumë sistemi po pastrohet. Sa më shumë njerëz të pushtetit preken, aq më shumë provohet pavarësia e drejtësisë. Sa më shumë korrupsion zbulohet, aq më shumë provohet lufta kundër korrupsionit. Është një narrativë politikisht jashtëzakonisht rezistente. Sepse kundërprova nuk e rrëzon domosdoshmërisht.

Ajo absorbohet. Dhe kthehet në provë.

Anatomia retorike e fjalimit

Nëse e “zhveshim” fjalimin nga ngjarjet konkrete dhe shohim vetëm arkitekturën e tij, mekanizmat kryesorë janë këta:

Ethos institucional – Rama nis duke njohur pavarësinë e drejtësisë dhe kufijtë e rolit të tij, duke ndërtuar pozicionin e një kryeministri institucional.

Reframing – hetimi i njerëzve të lidhur me pushtetin zhvendoset nga potencialisht provë e një problemi korrupsioni në provë se sistemi po e lufton korrupsionin.

Non sequitur – nga premisa se drejtësia heton pushtetin arrihet te përfundimi se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, megjithëse njëra nuk e provon domosdoshmërisht tjetrën.

Self-sealing argument – edhe një zhvillim potencialisht negativ për qeverinë mund të absorbohet nga narrativa si provë e suksesit të reformës së saj.

Straw man + ridicule – kritika komplekse për korrupsionin reduktohet në refrenin “korrupsion, korrupsion, korrupsion”, i cili është më i lehtë për t’u përqeshur sesa përmbajtja konkrete e akuzave.

Reframing i përgjegjësisë – “Si nuk e dinte kryeministri?” transformohet në “Si mund ta dinte kryeministri?”, duke zhvendosur standardin nga përgjegjësia politike te pamundësia për të lexuar mendjen e vartësit.

Narrowing the claim – debati i gjerë për korrupsionin në qeverisje ngushtohet te pyetja nëse Rama ka marrë personalisht para.

Concessio – pranimi “nuk jam engjëll” rrit besueshmërinë e mohimit specifik që vjen menjëherë pas tij.

Ethos personal – integriteti mbështetet edhe te karakteri dhe historia personale e folësit: “kush më njeh e di”.

Historical contrast / whataboutism – e tashmja krahasohet me Gërdecin, vrasjet në bulevard dhe drejtësinë e së shkuarës; krahasimi është relevant historikisht, por bëhet shmangës nëse zëvendëson përgjigjen për përgjegjësinë aktuale.

Binary framing – krijohen dy Shqipëri: ajo e vjetra, e pandëshkueshmërisë, dhe ajo e reja, e reformës dhe drejtësisë së pavarur.

Hero narrative – reforma në drejtësi lidhet me autorësinë politike të Ramës dhe PS-së.

Metaphorical framing – korrupsioni bëhet sëmundje, shteti organizëm dhe goditja e korrupsionit “vetëpastrim” dhe fitim “imuniteti”.

Të marra veçmas, shumë prej këtyre janë teknika normale të komunikimit politik. Ethos-i, metafora, kontrasti apo reframing-u nuk janë vetvetiu manipulim. Rëndësia qëndron te mënyra se si funksionojnë së bashku.

Dhe së bashku prodhojnë një transformim të qartë narrativ: Nga “çfarë tregon ky rast për pushtetin?” te “çfarë tregon ky rast për suksesin e reformës së pushtetit?”.

Dy Shqipëri dhe një autor

Në fund mbeten dy Shqipëri.

Njëra është Shqipëria e vjetër: e pandëshkueshmërisë, drejtësisë politike, korrupsionit, vrasjeve dhe Gërdecit. Tjetra është Shqipëria e re: e reformës, SPAK-ut, drejtësisë së pavarur, Europës, shtetit ligjor dhe vetëpastrimit. Dhe ura mes tyre, në narrativën e kryeministrit, është Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Por ekziston edhe një Shqipëri e tretë që kjo ndarje binare rrezikon ta fshehë. Një Shqipëri ku të dyja mund të jenë të vërteta. Ku reforma në drejtësi mund të jetë një arritje historike dhe korrupsioni në nivele të larta mund të mbetet problem serioz. Ku SPAK mund të jetë më i pavarur se prokuroria e së shkuarës dhe qeveria mund të ketë përgjegjësi politike për njerëzit, sistemet dhe vendimet e saj. Ku arrestimi i një zyrtari mund të tregojë se drejtësia funksionon dhe në të njëjtën kohë, të ngrejë pyetje serioze për mënyrën se si funksionon pushteti.

Politika preferon përgjigjet binare. Gazetaria nuk duhet.

Detyra e saj është pikërisht të qëndrojë në hapësirën e pakëndshme midis dy narrativave dhe të bëjë pyetjen që retorika përpiqet ta zëvendësojë me një tjetër: Jo vetëm: a po funksionon drejtësia? Por edhe: Çfarë po zbulon ajo për mënyrën se si është ushtruar pushteti?

Sepse një sistem që fillon të pastrohet është padyshim lajm i mirë. Por ajo që del gjatë pastrimit mbetet lajm. Dhe duhet hetuar. /Shteg.org

LEXO EDHE:

Asgjë e re nga Edi Rama

Etiketa: afereEdi Ramahetimespakvlora hyseni

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Shpërthen në flakë makina në qendër të Elbasanit

18:50 : 28/09/2026
AKTUALITET

Këshilli i Sigurisë përforcon alibinë e Ramës për Vlora Hysenin

17:53 : 28/09/2026
AKTUALITET

Mbledhje te “Vila e Kuqe”, Rama thërret sot drejtuesit politikë të PS

12:42 : 28/09/2026
AKTUALITET

“Alibia e Ramës ka rënë”, Bardhi: Të japë llogari për SHISH-in dhe Vlora Hysenin, përgjegjësia politike është e tij

12:30 : 28/09/2026
AKTUALITET

Ambasadorja e BE ‘shuplakë’ Ramës: Ambicia për mbylljen e negociatave deri në 2027 kërkon reforma

11:38 : 28/09/2026
AKTUALITET

Rama sulmon protestuesit para parlamentarëve të BE-së: Jeni argëtuar këto kohë me flamingot!

11:14 : 28/09/2026
Para

Çfarë e shkaktoi shpërthimin që vrau 6 persona në Athinë? Hetimi zhvendoset në apartament

TË GJITHA

Shpërthen në flakë makina në qendër të Elbasanit

18:50 : 28/09/2026

Çfarë e shkaktoi shpërthimin që vrau 6 persona në Athinë? Hetimi zhvendoset në apartament

18:39 : 28/09/2026

Kur skandali kthehet në sukses/ Anatomia e një fjalimi të Edi Ramës

18:28 : 28/09/2026

Kërcënim për bombë në Harvard, policia rrethon zonën

18:18 : 28/09/2026

Vdekja e këngëtarit Mazonakis, infermierja ndryshon dëshminë: Ja çfarë ndodhi në klinikë

18:06 : 28/09/2026

Zjarr i madh në një sipërfaqje me ullinj në Fier, kërkohet ndërhyrje nga ajri

18:04 : 28/09/2026

Shumë gra po e ngatërrojnë këtë infeksion seksual me dhimbjet e ciklit

17:59 : 28/09/2026



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Botërori 2026
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2026 Boldnews Dev By Techzero1.com