Hetimet për shpërthimin e fuqishëm që shkatërroi një ndërtesë në zonën e Plakës në Athinë dhe i mori jetën gjashtë personave po përqendrohen gjithnjë e më shumë te instalimet e gazit brenda godinës.
Ekspertët grekë kanë përjashtuar, të paktën në fazën e parë të hetimit, një problem në rrjetin qendror të furnizimit me gaz natyror. Kontrollet e kryera si në rrjetin kryesor, ashtu edhe në pjesën e infrastrukturës nëntokësore pranë ndërtesës, nuk kanë evidentuar rrjedhje.
Kjo ka bërë që vëmendja e autoriteteve të drejtohet te një prej apartamenteve të godinës në rrugën Lysikratous.
Bëhet fjalë për apartamentin në katin e dytë, ku jetonte një çift i moshuar dhe që, sipas të dhënave të hetimit, ishte i vetmi apartament i lidhur me rrjetin e gazit natyror.
Në banesë janë konstatuar tre pajisje që funksiononin me gaz: një sobë, një oxhak dhe një ngrohës uji. Për momentin, ekspertët nuk kanë përcaktuar nëse rrjedhja ka ardhur nga njëra prej tyre apo nga ndonjë pjesë tjetër e instalimit të brendshëm.
Autoritetet po përpiqen tashmë të rindërtojnë hap pas hapi se çfarë ka ndodhur brenda ndërtesës përpara shpërthimit dhe nëse një rrjedhje e mundshme gazi ka krijuar përqendrimin që më pas çoi në shpërthimin fatal.
Forca e shpërthimit ishte e tillë sa ndërtesa u shemb, ndërsa vala goditëse shkaktoi dëme edhe në ambientet përreth, përfshirë biznese, automjete dhe objekte të tjera pranë godinës.
Mes gjashtë viktimave janë edhe shqiptarët Florida Hoxha, bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe Eris Çani e Florin Hoxha. Florida Hoxha dhe Ian Alexander Kirkpatrick ndodheshin në Greqi për muajin e mjaltit, ndërsa Eris Çani dhe Florin Hoxha pritej të bëheshin prindër.
Dy viktimat e tjera ishin banorë të ndërtesës ku ndodhi shpërthimi.
Ndërkohë, familjarët e viktimave kanë mbërritur në Greqi më 27 shtator, në përgjigje të kërkesës së autoriteteve greke. Ata pritet t’u nënshtrohen procedurave për marrjen e materialit gjenetik, i cili do të përdoret për identifikimin përfundimtar të trupave.
Ekspertiza teknike dhe hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse gazi ka qenë shkaku i shpërthimit dhe, nëse po, nga cili instalim ka nisur rrjedhja që solli pasojat tragjike.













