Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar një vizitë të fshehtë në Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën ku është takuar me presidentin e vendit, sheikun Mohammed bin Zayed.
Një burim izraelit në dijeni të vizitës i tha CNN se në qendër të bisedimeve ishte Irani, një çështje për të cilën Izraeli dhe Emiratet kanë thelluar bashkëpunimin gjatë luftës aktuale me Iranin.
Vizita, e cila nuk është konfirmuar zyrtarisht nga zyra e Netanyahut, vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit.
Por udhëtimi është zhvilluar edhe në një moment kur Netanyahu është përballë një debati të fortë politik në Izrael për atë që ndodhi përpara sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Haaretz dhe The New York Times kanë raportuar se Mohammed bin Zayed e kishte paralajmëruar Netanyahun për një operacion të madh të Hamasit vetëm disa ditë përpara sulmit.
The Atlantic ka raportuar veçmas se kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kishte udhëtuar në Izrael më 26 shtator 2023 dhe kishte paralajmëruar se Gaza do të “shpërthente”.
Ndërsa The Wall Street Journal raportoi se Egjipti i kishte dërguar Izraelit të paktën tri paralajmërime për Gazën, i fundit prej të cilëve përmes një telefonate direkte me Netanyahun, disa ditë përpara sulmit.
Zyra e kryeministrit izraelit i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime, duke thënë se Netanyahu nuk kishte marrë një paralajmërim të tillë. Raportimet janë cilësuar prej saj si të sajuara për ta dëmtuar politikisht kryeministrin përpara zgjedhjeve.
Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ana tjetër, nuk e mohuan raportimin për telefonatën e Mohammed bin Zayed me Netanyahun.
Ministria e Jashtme e Emirateve deklaroi më herët këtë muaj se “nuk komenton raportimet e mediave apo spekulimet për bisedat mes udhëheqësve shtetërorë”.
“Në rastet kur ka qenë e nevojshme, të gjitha informacionet përkatëse të inteligjencës janë shkëmbyer dhe vazhdojnë të shkëmbehen mes autoriteteve kompetente”, thuhej në deklaratë.
Sipas një burimi izraelit të njohur me çështjen, zyra e Netanyahut kishte kërkuar që Emiratet ta përgënjeshtronin raportimin, por Abu Dhabi kishte pranuar vetëm të bënte një deklaratë të përgjithshme për shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.
Pretendimet janë kthyer edhe në një temë të fushatës zgjedhore në Izrael, me kundërshtarët e Netanyahut që kërkojnë përgjegjësi për dështimet që i paraprinë sulmit të 7 tetorit.
Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve kanë marrë një dimension të fortë sigurie gjatë luftës me Iranin. Sipas raportimeve, Izraeli ka vendosur sistemin e mbrojtjes ajrore Iron Dome në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa zyrtarët izraelitë thonë se bashkëpunimi i sigurisë mes dy vendeve ka arritur nivele të paprecedenta.
Netanyahu nuk ka zhvilluar deri tani një vizitë zyrtare dhe të konfirmuar publikisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.








Komente
Komento