Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e vuri në qendër të fjalës së tij në Konferencën Ndërparlamentare me Bashkimin Europian shqetësimin për presionin e madh ndaj drejtësisë shqiptare. Sipas tij, kjo situatë po vë në rrezik një prej investimeve më të rëndësishme të realizuara në Shqipëri nga BE-ja, me mbështetjen e SHBA-së.
Shehaj deklaroi se shqiptarët e shohin anëtarësimin në Bashkimin Europian si një mundësi për të fituar më në fund të drejtat që u takojnë dhe nënvizoi se procesi i integrimit duhet të vijojë pa u ndërprerë.
Të lidhura
None found
“Shqiptarët e duan Bashkimin Europian, sigurisht. Jo vetëm sepse e konsiderojnë Shqipërinë pjesë të Europës, por sepse tek BE-ja shohin shpresën. Ata besojnë se, kur Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, më në fund të drejtat e tyre do të njihen. Kjo është ëndrra e madhe e shqiptarëve”, u shpreh ai.
Sipas kreut të Mundësisë, sistemi i ri i drejtësisë, i ndërtuar me kontributin e partnerëve ndërkombëtarë, ndodhet sot përballë një kërcënimi serioz.
“Arsyeja pse e konsiderova të rëndësishme të flisja para jush është se po rrezikohet dhe mund të bllokohet një nga investimet më të mëdha të BE-së, të mbështetur edhe nga SHBA-ja. Drejtësia nuk po përballet thjesht me presion; ndaj saj po zhvillohet një luftë e paprecedentë”, deklaroi Shehaj.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe shumicën qeverisëse se e sulmojnë sistemin e drejtësisë sa herë që përfaqësues të mazhorancës hetohen ose përballen me akuza për korrupsion.
“Në këto konferenca e keni dëgjuar kryeministrin të flasë për drejtësinë, por nuk e keni parë mënyrën se si ai u drejtohet shqiptarëve. Përmes mediave të tij, ai e sulmon drejtësinë çdo ditë. Sa herë që kjo e fundit nxjerr para përgjegjësisë përfaqësues të mazhorancës dhe i akuzon për korrupsion, Edi Rama reagon duke e sulmuar”, tha kryetari i Partisë Mundësia.
Shehaj përmendi edhe konfliktin lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e cilësuar atë një tjetër shfaqje të trysnisë ndaj drejtësisë.
“Situata shkoi deri aty sa pagat nuk u paguan. Edi Rama mendon se pagat e një prokurori apo gjyqtari janë të ngjashme me ato të politikanëve të korruptuar që kanë drejtuar vendin gjatë këtyre 35 viteve. Këta të fundit nuk kanë nevojë për paga, pasi ato janë të papërfillshme përballë përfitimeve që marrin nga pushteti. Megjithatë, drejtësia nuk është e përkryer dhe aty ka prokurorë e gjyqtarë që jetojnë me ato paga”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës, ai foli edhe për protestat që prej më shumë se tre muajsh zhvillohen në Tiranë, si dhe për vështirësitë që, sipas tij, qytetarët shqiptarë përjetojnë në përpjekje për të garantuar të drejtat themelore.
“Duhet ta kuptoni, miq të nderuar të Shqipërisë, se vendi ynë fatkeqësisht është përballë padrejtësive. Ashtu siç unë, si drejtues i një partie opozitare, duhet të luftoj për lirinë e fjalës dhe për të ushtruar opozitën, edhe çdo qytetar shqiptar përballet çdo ditë me betejën për të drejtat themelore, të drejta që ju ndoshta nuk mund t’i imagjinoni”, deklaroi Shehaj.
Në përfundim, ai falënderoi përfaqësuesit europianë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj rrugës së Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Ju falënderoj që ndodheni këtu dhe që, pavarësisht problemeve, vazhdoni të besoni se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian.”
