Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila për disa muaj drejtoi diplomacinë shqiptare, ka zhvilluar së fundmi një takim me Andreas Schieder, raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Takimi është bërë publik nga vetë deputetja socialiste, e cila prej kohësh ka shfaqur hapur kritikat e saj ndaj kryeministrit Edi Rama, ndërsa në vijimësi kanë dalë në pah edhe përplasjet mes tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali e ka përshkruar bisedën me Schieder si “të hapur dhe shumë të vlefshme”, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve me Europën dhe procesit të integrimit të Shqipërisë.
“Europa nuk është vetëm destinacioni ynë. Është standardi që aspirojmë, tërësia e sfidave që duhet të përballim për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes”, shkruan Spiropali, teksa falënderon raporterin europian për miqësinë dhe angazhimin e tij.
Takimi vjen në një moment kur Spiropali, ndonëse mbetet një prej figurave të njohura të Partisë Socialiste, duket se nuk ka më të njëjtin rol ekzekutiv që pati gjatë periudhës kur drejtoi Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme. Marrëdhënia e saj politike me kryeministrin Rama ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes, sidomos pas qëndrimeve kritike të bëra publike prej saj.
Fotografia e publikuar nga Spiropali tregon deputeten përballë Schieder në ambientet e jashtme të një lokali në kryeqytet. Më tepër se një takim tipik institucional, ndjekësit e kanë lexuar dhe si një sinjal politik dhe lënë të kuptohet që ndonëse Spiropali nuk është në qendër të strukturave ekzekutive, ajo vijon të ruajë kontakte dhe komunikim me figura të rëndësishme europiane.
Postim i plotë:
Një bisedë e hapur dhe shumë e vlefshme me Andreas Schieder, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Europa nuk është vetëm destinacioni ynë.
Është standardi që aspirojmë, tërësia e sfidave që duhet të përballim për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes.
Faleminderit Andreas për miqësinë dhe angazhimin e sinqertë e të gjithëkohshëm.
