VIDEO/ Rama prezanton planin për mbështetjen e tyre pas moshës 18-vjeç
Të rinjtë që largohen nga sistemi i përkujdesjes sociale pritet të kenë një mbështetje më të strukturuar edhe pas moshës 18 vjeç. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria po punon për krijimin e një kuadri të posaçëm, që synon t’i ndihmojë ata në kalimin drejt një jete të pavarur.
Në qendër të nismës do të jetë orientimi drejt arsimit profesional dhe zhvillimi i aftësive praktike, me synim krijimin e mundësive konkrete për punësim dhe integrim të qëndrueshëm në tregun e punës. Sipas Ramës, mbështetja nuk duhet të përfundojë me arritjen e moshës madhore, por të vijojë edhe gjatë fazës së tranzicionit drejt autonomisë personale dhe financiare.
”Krahas kujdesit dhe mbështetjes së përditshme, po punojmë që të rinjtë që dalin nga sistemi i përkujdesjes sociale të kenë një rrugë konkrete drejt jetës së pavarur, duke i shoqëruar edhe pas moshës 18 vjeç me orientim dhe formim profesional, aftësim për punë dhe mundësi për t’u integruar në tregun e punës”,-shkruan Rama. Nisma synon kështu të krijojë një urë më të qartë mes përfundimit të përkujdesjes sociale dhe përfshirjes së të rinjve në jetën e pavarur dhe në tregun e punës.

