Në të kaluarën, marrja në shtëpi e një pjese të një tempulli konsiderohej sakrilegj, ndërsa sot jo vetëm që është e mundur, por është një veprim që mund të ketë përfitime të mëdha për mjedisin.
Kjo është ajo që pritet të ndodhë me “San Siro”-n, tempullin e futbollit italian.
Nga dokumentet zyrtare të “Raportit Mjedisor VAS për stadiumin e ri” zbulojmë se Interi dhe Milani po mendojnë seriozisht t’u kalojnë mijëra abonentëve një relike me vlerë të jashtëzakonshme simbolike: ulëset e stadiumit “Giuseppe Meazza”. Nga një kapacitet total prej 75,817 vendesh, vlerësohet se mund të rikuperohen rreth 80% e tyre, e barabartë me 60,654 ulëse. Ky është një operacion që nuk do të kishte ndikim vetëm nga këndvështrimi i marketingut dhe kujtesës emocionale, por edhe nga ai mjedisor. Falë kësaj zgjedhjeje, rreth 273 ton plastikë nuk do të përfundojnë në mbeturina, por në shtëpitë e tifozëve të të dyja klubeve.
Ideja është të organizohen ditë të veçanta, me rezervim dhe hyrje të shkallëzuara sipas sektorëve, gjatë të cilave do të bëhet çmontimi i asistuar i ulëseve dhe dorëzimi i tyre te tifozët. Megjithatë, projektuesit theksojnë se “ky veprim, edhe pse nuk gjeneron kursime domethënëse nëse krahasohet me vëllimet e përgjithshme të mbetjeve të prodhuara, merr një vlerë të madhe simbolike në termat e ekonomisë qarkulluese”. Kjo do të ishte në fakt një nga fazat e para të një kantieri kompleks për çmontimin e “Giuseppe Meazza”-s, me një kohëzgjatje të parashikuar prej 18 muajsh dhe me një kosto totale të vlerësuar në 127 milionë euro.