Një mashtrim i sofistikuar i mbështetur te inteligjenca artificiale ka goditur Fideuram, degën e bankimit privat të Intesa Sanpaolo-s në Itali, ku mashtruesit arritën të bindin drejtues të bankës të transferonin rreth 95 milionë euro drejt llogarive në Azi.
Sipas Reuters, duke cituar persona të njohur me çështjen, skema nisi në shkurt, kur Paolo Molesini, në atë kohë president i Fideuram, mori një mesazh në WhatsApp që dukej se vinte nga CEO i Intesa Sanpaolo-s, Carlo Messina.
Në mesazh kërkohej ndihmë urgjente për një transaksion ndërkombëtar. Pak më vonë, një person që pretendonte se ishte partner i lartë i një firme të njohur ligjore kontaktoi Molesinin përmes telefonit dhe konfirmoi kërkesën. Zëri i tij ishte rikrijuar me anë të inteligjencës artificiale.
Duke besuar se komunikimi ishte autentik, Molesini i kërkoi departamentit financiar të bankës të kryente transfertat. Pjesa më e madhe e shumës u dërgua në llogari në Kinë dhe Hong Kong.
Parregullsitë u zbuluan shpejt dhe autoritetet e disa vendeve nisën gjurmimin e parave. Bashkëpunimi mes hetuesve në Itali, Kinë dhe Portugali bëri të mundur rikuperimin e rreth 53 milionë eurove.
Megjithatë, rreth 36 milionë euro mbeten ende të pagjetura. Sipas raportimeve, fondet u zhvendosën përmes një rrjeti llogarish jashtë vendit dhe një pjesë e tyre u konvertua në kriptovaluta, duke e vështirësuar gjurmimin.
Molesini dha dorëheqjen në mars, duke përmendur në atë kohë arsye personale. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, ai dhe drejtues të tjerë të Fideuram nuk janë nën hetim.
Ndërkohë, prokurorët e Milanos po hetojnë një shtetas të huaj që jeton jashtë Evropës, nën dyshimin për mashtrim kompjuterik.
Rasti tregon një tjetër mënyrë se si inteligjenca artificiale po përdoret nga grupet kriminale për të imituar zërat dhe identitetin e drejtuesve të kompanive, duke e bërë më të vështirë dallimin mes komunikimit real dhe atij të manipuluar./Versus.al

