Gjermania po hyn në sezonin e dimrit me rezervat e gazit në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë për fundin e shtatorit, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë energjetike dhe kostot e industrisë në ekonominë më të madhe të Europës.
Depozitat gjermane janë vetëm rreth 57% të mbushura, dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 70%, ndërsa tregjet po vlerësojnë rrezikun që një dimër më i ftohtë të shtojë presionin mbi çmimet e gazit dhe inflacionin.
Nivelet e ulëta vijnë në një moment delikat për ekonominë gjermane, e cila vazhdon të përballet me kosto të larta energjie dhe një rimëkëmbje të dobët industriale pas humbjes së furnizimeve të lira me gaz rus.
Sipas Reuters, drejtuesi i kompanisë gjermane të gazit VNG, Ulf Heitmueller, tha se furnizimi nuk është aktualisht në rrezik, pasi Gjermania ka diversifikuar ndjeshëm burimet e saj që nga kriza energjetike e vitit 2022.
Gjermania ka rritur aksesin në gaz natyror të lëngshëm, LNG, dhe ka zgjeruar furnizimet nga vende të tjera. VNG importon gaz nga Norvegjia dhe ka lidhur marrëveshje të reja me Azerbajxhanin dhe Algjerinë.
Megjithatë, rezervat e ulëta e bëjnë tregun më të ndjeshëm ndaj motit dhe ndërprerjeve të mundshme të furnizimit. Një dimër i ftohtë mund të përshpejtojë tërheqjen nga depot dhe të rrisë kërkesën për importe në një periudhë kur tregu global i energjisë mbetet i tensionuar.
Çështja ka rëndësi të veçantë për industrinë gjermane, ku sektorë me konsum të lartë energjie, nga kimikatet te metalet dhe prodhimi i rëndë, janë përballur prej disa vitesh me kosto më të larta se konkurrentët në SHBA dhe Azi.
Presioni nga energjia po shfaqet edhe te inflacioni. Bundesbank paralajmëroi këtë muaj se inflacioni në Gjermani mund të mbetet i lartë në afat të shkurtër, ndër të tjera për shkak të rritjes së kostove të energjisë. Inflacioni arriti në 2.9% në gusht.
Qeveria gjermane ka ndërhyrë gjithashtu për të zbutur goditjen e çmimeve të karburanteve, duke miratuar masa fiskale që synojnë të ulin kostot për familjet dhe bizneset.
Megjithëse kompanitë energjetike thonë se sistemi është më rezistent se në vitin 2022, niveli 57% i rezervave e lë Gjermaninë me një marzh më të vogël sigurie në prag të muajve me konsumin më të lartë të gazit./ Monitor













