Apple gjobitet me 5.7 miliardë dollarë, përdori pa leje teknologjinë e një kompanie tjetër
Një familje në Brazil është përballur me një tragjedi të rëndë, pasi një nënë dhe vajza e saj 28-vjeçare humbën jetën nga kanceri me vetëm 10 orë diferencë.
Cibele Marchis, 28 vjeçe, ndërroi jetë të enjten rreth orës 16:00 në një spital në Mogi Guaçu. Vetëm 10 orë më vonë, rreth orës 02:00 të së premtes, ndërroi jetë edhe nëna e saj, Maria Elisabete Nogueira, 56 vjeçe, e cila ndodhej e shtruar në një tjetër spital të qytetit.
Cibele, e cila punonte si specialiste e marketingut dixhital, ishte diagnostikuar në vitin 2024 me një formë të rrallë dhe agresive të kancerit që kishte nisur në gjëndrën mbiveshkore.
Rreth një vit më vonë, Maria mësoi se vuante nga kanceri i pankreasit. Ajo kishte shkuar te mjeku për një problem që besonte se lidhej me gurët në tëmth, por analizat zbuluan sëmundjen e rëndë.
Cibele iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve me kimioterapi. Në dhjetor të vitit 2025, familja u njoftua se ajo ishte pranë fundit të jetës pasi kishte pësuar infeksione të rënda.
E afërmja e tyre, Barbara Rodrigues dos Santos, tregoi se në ato momente nënë e bijë ishin mbështetja e njëra-tjetrës.
Sipas saj, Maria kishte agjëruar për 24 orë duke u lutur për një mrekulli për vajzën e saj. Cibele arriti të përmirësohej, doli nga spitali dhe u rikthye në jetën e saj.
“Dëshironte të jetonte”, tregoi Barbara, duke shtuar se Cibele nuk e kishte lejuar sëmundjen, shenjat e operacioneve apo qesen e kolostomisë t’a pengonin të jetonte jetën.
Ndërkohë, gjendja e Marias ishte përkeqësuar me shpejtësi. Dhimbjet ishin bërë aq të forta sa ajo kishte nevojë për morfinë dhe më 17 shtator u shtrua në spital.
Nëna dhe vajza u takuan për herë të fundit kur Cibele vizitoi Marian gjatë qëndrimit të saj në spital. Rreth një javë më vonë, gjendja e Cibeles u përkeqësua dhe ajo kishte nevojë për trajtim mjekësor.
“Kur mora telefonatën të enjten, të gjithë prisnin që të ishte halla ime, jo Cibele”, rrëfeu Rowilson Leandro da Costa, nipi i Marias dhe kushëriri i Cibeles.
Ai tregoi se ishte marrë me organizimin e ceremonisë mortore të Cibeles dhe, pasi familja u kthye nga ceremonia, mori telefonatën për vdekjen e Marias.
“Duhej t’i jepja sërish lajmin xhaxhait tim, i cili po vajtonte vajzën e tij, se kishte ndërruar jetë edhe gruaja e tij”, tregoi ai.
Cibele ishte fëmija i vetëm i çiftit. Pas humbjes së vajzës dhe bashkëshortes, babai i saj ka mbetur i vetëm.
“E humbi familjen. Të kthehet në shtëpi dhe të mos gjejë më askënd aty. Është e trishtueshme, e vështirë”, tha Rowilson.
Një tjetër detaj prekës i historisë është se nëna dhe vajza kishin shprehur dëshirën që asnjëra të mos mësonte për vdekjen e tjetrës, nëse njëra prej tyre do të ishte ende gjallë.
“Asnjëra nuk donte t’a shihte tjetrën të vdiste. E kishin komentuar këtë, herë me shaka dhe herë seriozisht, dhe pikërisht kështu ndodhi. Njëra nuk e mori vesh kurrë për vdekjen e tjetrës”, tha Rowilson.
Cibele kishte ndarë publikisht edhe momente nga përballja me sëmundjen. Në mars, ajo publikoi një video gjatë një trajtimi me serum, duke shkruar se për sa kohë problemi i vetëm i një personi është paraja, duhet të jetë mirënjohës, pasi ka probleme që as gjithë paratë e botës nuk mund t’i zgjidhin.
Partnerja e saj e biznesit, Eloa Righi, tha se Cibele nuk lejoi që kanceri të përcaktonte identitetin e saj.
“Ajo nuk donte të njihej si Cibele që ka kancer, por si Cibele që punon, argëtohet, jeton dhe ka kancer”, u shpreh ajo.
Edhe Maria, e njohur nga të afërmit me nofkën Bia, përshkruhet si një grua e dashur dhe e gëzuar, e cila kishte lënë gjurmë te njerëzit që e njihnin.
Nënë e bijë u përcollën së bashku për në banesën e fundit, në një ceremoni të përbashkët mortore, të rrethuara nga familjarët dhe miqtë e tyre.
Top Channel