”Nuk e nënvlerësojmë”, Gjimshiti: Përqendrim maksimal ndaj San Marinos, synojmë kreun e grupit
Shqipëria përgatitet për përballjen e së martës ndaj San Marinos në Nations League, me kuqezinjtë që kërkojnë të vijojnë rrugëtimin pozitiv dhe të mbajnë gjallë objektivin për vendin e parë në grup.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, mbrëmjen e kësaj të hëne, kapiteni Berat Gjimshiti theksoi se skuadra duhet të jetë e përqendruar maksimalisht dhe të mos lejojë që niveli i kundërshtarit të ndikojë në qasjen ndaj takimit. “Përqendrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100 përqind. Nuk duhet të konsiderojmë asnjë kundërshtar të lehtë, por duhet të japim maksimumin”, u shpreh Gjimshiti.
Mbrojtësi kuqezi foli edhe për periudhën e vështirë që ka kaluar Shqipëria, duke veçuar fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë si një moment që mund t’i ketë dhënë skuadrës shtysën e nevojshme për të rikthyer rezultatet pozitive. “Kishim një periudhë jo të mirë, por se besoj se kthesa për ne ishte që me sfidën ndaj Bjellorusisë, ku arritëm të fitojmë 2:0. Ne duam vendin e parë në grup dhe për këtë synim luftojmë”, deklaroi kapiteni.
Gjimshiti kërkoi nga skuadra mentalitetin e duhur që në minutat e para, ndërsa vlerësoi edhe rëndësinë e futbollistëve që mund të aktivizohen gjatë ndeshjes. “Duhet të hyjmë në fushën e blertë me mentalitetin e duhur, besoj se do ia dalim të gjithë bashkë. Edhe ata që vijnë nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër”, përfundoi ai.


