
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka kërcënuar me vdekje Hassan Salamehun, një të dënuar të Hamasit që po vuan disa dënime të përjetshme për përfshirjen në një seri sulmesh me bomba në Jerusalem në vitin 1996.
Në një video të publikuar të dielën në mbrëmje, Ben-Gvir shfaqet duke iu drejtuar drejtpërdrejt Salamehut gjatë një vizite në burg. Sipas ministrit, pamjet janë regjistruar rreth dy javë më parë.
“Dua të të vras. Dua të të dënoj me vdekje”, dëgjohet t’i thotë Ben-Gvir të burgosurit.
Salameh u arrestua në vitin 1996 dhe u shpall fajtor për organizimin e disa sulmeve me bomba. Dy shpërthime në autobusët e linjës 18 në Jerusalem, më 25 shkurt dhe 3 mars të atij viti, shkaktuan 45 viktima.
Në një tjetër sulm, të ndodhur më 25 shkurt në kryqëzimin e Ashkelonit, mbeti e vrarë edhe ushtarja e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Hofit Aish.
Për këto vepra, Salameh u dënua me 46 burgime të përjetshme të njëpasnjëshme, si dhe me 30 vite të tjera burgim.
Publikimi i videos vjen në një kohë kur çështja e dënimit me vdekje për të dënuarit për sulme terroriste është pjesë e debatit politik në Izrael.

