Sport

Gjimshiti flet në prag të ndeshjes me San Marinon: Duket ndeshje e lehtë, por s’është e tillë, të jemi të përqendruar

Kombëtarja shqiptare e futbollit është gati për sfidën e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.

Pas startit me fitore ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë mbyllën përgatitjet në Tiranë paraditen e së hënës dhe pasdite udhëtuan drejt San Marinos. Në konferencën zyrtare për shtyp nga stadiumi pritës, përballë gazetarëve dolën tekniku kuqezi dhe kapiteni Berat Gjimshiti, të cilët analizuan gjendjen e skuadrës dhe objektivat për këtë transfertë.

Nuk është e lehtë, por përqendrimi duhet të jetë në maksimum. Shumica mendojnë se do të jetë një ndehsje e lehtë por nuk është e tillë, prandaj duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Nuk kemi pasur një periudhë të mirë, por u kthyem te loja e mirë. Synimet janë të forta duam vendin e parë, duhet të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë-tha kapiteni Gjimshiti

Sa i përket situatës në grup, Shqipëria ndan kreun e tabelës me Finlandën me nga 3 pikë të plota, ndërsa Bjellorusia dhe San Marino mbeten pa pikë pas raundit të parë. Historiku i përballjeve flet tërësisht në favor të kuqezinjve: në 4 ndeshjet e zhvilluara mes tyre, Shqipëria numëron 4 fitore, me 13 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ndeshja luhet mbrëmjen e së martës, ku kombëtarja kërkon 3-pikëshin e radhës për të ruajtur ecurinë e plotë në grup.