Vihet nën kontroll zjarri në Fier, policia shoqëron tre persona të dyshuar për zjarrvënien

Është vënë nën kontroll zjarri që përfshiu ullishten ën zonën e Krepshtanit në Fier, falë ndërhyrjes nga ajri të Forcave të armatosura.
Në terren kanë qenë rreth 100 banorë, forcat zjarrfikëse dhe dy automjete zjarrfikëse, të cilët kanë punuar për disa orë për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Sipas burimeve nga Prefektura e Fierit vatrat kryesore janë shuar dhe situata aktualisht është vënë nën kontroll. Megjithatë, rreziku nuk konsiderohet ende i kaluar.
Forcat zjarrfikëse do të qëndrojnë gjatë gjithë natës në zonë, duke monitoruar me kujdes sipërfaqet e djegura dhe vatrat e mbetura, me qëllim parandalimin e çdo rindezjeje të mundshme të zjarrit.
Ndërhyrja nga ajri, e kombinuar me punën e banorëve dhe forcave në terren, ka bërë të mundur frenimin e përhapjes së flakëve dhe vendosjen e situatës nën kontroll.
Ndëkrohë policia e Fierit ka shoqëruar tre persona të dyshuar si përgjegjës për zjarrin në Krepshan.




