Protesta kundër qeverisë vijon në Tiranë për të 121-ën ditë radhazi, ndërsa qytetarët janë nisur në drejtim të Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat e tyre për largimin e Edi Ramës nga pushteti.
Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga protestuesit iu drejtuan Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Marshimi u shoqërua me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit.
“Poshtë qeveria” është një prej sloganeve të dëgjuara gjatë protestës, ndërsa protestuesit kanë hedhur akuza për lidhje të qeverisë me krimin.
Kërkesat e tyre nuk ndalen vetëm te dorëheqja e Ramës. Protestuesit kërkojnë që kryeministri të përballet me drejtësinë, duke përfshirë në thirrjet e tyre edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Marshimi vijon drejt Kryeministrisë, ku protestuesit pritet të ndalen për të vijuar protestën e nisur 121 ditë më parë.













