Këshilli Bashkiak i Belshit ka kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Elbasanit, në kuadër të Reformës së re Territoriale. Në mbledhjen e kësaj të hëne, 7 këshilltarë të PD votuan kundër, ndërsa 10 këshilltarë të PS abstenuan. Votimi u shoqërua me debate mes këshilltarëve, veçanërisht për qëndrimin e përfaqësuesve të PS-së, të cilët zgjodhën të mos shpreheshin pro ose kundër propozimit. Këshilltarët e të dyja forcave politike argumentuan qëndrimin e tyre, duke theksuar potencialin e Belshit, veçanërisht në sektorin e turizmit, dhe nevojën që bashkia të vijojë të administrohet më vete. Por krahas qëndrimit të Këshillit, në Belsh bie në sy edhe pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në procesin e konsultimit për Reformën Territoriale. Konsultimet publike janë zhvilluar dy herë, por në të dyja rastet pjesëmarrja ka qenë e ulët. Edhe në takimin e zhvilluar në qytetin e Belshit, Këshilli Bashkiak ka mundur të marrë mendimin e vetëm një numri të vogël qytetarësh. Ndërkohë, në Komisionin e Ligjeve po mbahen diskutime për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore, ndërkohë që këtë të hënë përvec Belshit, edhe Bashkia e Maliqit ka kundërshtuar me 21 vota kundër shkrirjen me bashkinë e Korcës.