Thirrja e aktivistit: Studentët të bashkohen masivisht, nga ky shesh do të dalin liderët e kësaj republike
Në protestën e 121-të kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, aktivisti Erald Noj bëri thirrje për një mobilizim më të gjerë qytetar, duke u kërkuar shqiptarëve dhe veçanërisht studentëve që t’i bashkohen protestës. Nga sheshi i protestës, Noj deklaroi se lëvizja nuk duhet të lidhet me një grup të caktuar politik apo organizativ, por të përfshijë qytetarë nga e gjithë Shqipëria.
“I bëj thirrje vëllezërve tanë në Vlorë të na bashkohen, gjithë shqiptarët të na bashkohen nga ana anës. Kjo lëvizje është më e madhe se çdo grup koordinues dhe çdo parti politike”, u shpreh ai. Aktivisti tha se protesta synon të kërkojë ndryshime për të ardhmen e familjeve shqiptare dhe për respektimin e të drejtave të qytetarëve.
“Kemi ardhur me luftu për të ardhmen e familjeve tona, të drejtat tona që na janë shkelur si në kohën e PD dhe të PS. Nuk jam pjesë e një grupi koordinues, jam për bashkimin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Noj. Ai iu drejtua gjithashtu kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se protesta synon rrëzimin e qeverisë.
Noj u ndal te studentët, duke i ftuar ata t’i bashkohen protestës dhe duke pretenduar se nga kjo lëvizje mund të dalin edhe figura të reja drejtuese të vendit. “I bëj thirrje studentëve të mos manipulohen. Ftoj studentët të na bashkohen, sepse nga ky shesh do të dalin edhe liderët e kësaj Republike. Na ndihmoni, sepse luftën po e bëjmë për ne dhe për ju”, u shpreh ai.

