Lama: Rezoluta për ish-krerët e UÇK-së nuk ndryshon procesin në Hagë, ja çfarë pritet të ndodhë në Kosovë

Pas miratimit me 99 vota të deklaratës së Kuvendit të Kosovës për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, zhvillimet politike në Prishtinë mbeten të tensionuara. Ndërsa qytetarët vijojnë protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale, partitë politike po përballen njëkohësisht me krizën për zgjedhjen e presidentit të ri.
Analistja Alma Lama, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi tha se rezoluta e Kuvendit ka më shumë peshë politike sesa juridike. Sipas saj, kjo nuk pritet të ndryshojë procesin gjyqësor në Hagë.
Lama u ndal edhe te qëndrimi i partive politike, duke paralajmëruar se zgjedhjet mund të jenë shumë pranë nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
INTERVISTA E PLOTË:
Pra votimi, 99 vota pro deklaratës. Votuan katër partitë shqiptare dhe grupi multietnik. Në këtë kuptim mund të thuhet se nuk pati ndonjë surprizë, ndonjë befasi nga votimi apo nga mënyra se si u rreshtuan forcat politike, apo jo?
Alma Lama: Po, sigurisht kjo deklaratë, që është një rezolutë që ka më shumë fuqi politike se sa ndonjë fuqi vendimmarrëse, pra është thjesht shprehje e vullnetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, u dakordësua në qëllimin kryesor të dërgimit të një mesazhi ndaj Gjykatës Speciale e Bashkësisë Ndërkombëtare se dënimi është i papranueshëm për një gjë shumë specifike: për ndërmarrjen e përbashkët kriminale për të cilën akuzohen katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Dhe për një gjë tjetër që duket sikur ata e trajtojnë, sikur kjo ka dalë jashtë misionit të krijimit të Gjykatës Speciale që është bërë mbi bazën e vendimit e rezolutës së Këshillit të Evropës. Pra thjesht është një shprehje e vullnetit politik, por që unë e shoh shumë të vështirë për të ndryshuar ndonjë gjë në mënyrën se si ka shkuar procesi gjyqësor, në mënyrën se si në fakt është ndërtuar e tërë infrastruktura ligjore për Gjykatën Speciale, e cila po tenton të ndryshohet, por e shoh të pamundur që do të ndryshohet, pasi ligji special me të cilin krijohet Gjykata Speciale ka fuqi mbi ligjet e Kosovës. Ai është miratuar me dy të tretat e Kuvendit të Kosovës, është marrëveshje ndërkombëtare dhe ndryshimi i tij do të kërkojë prapë dy të tretat dhe nuk besoj që do të ketë supremaci mbi ligjin e Gjykatës Speciale. Kështu që është shprehje e vullnetit politik. Po, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike shqiptare u bënë bashkë në një pikë pas gjithë krizave politike që kemi parë dy viteve të fundit, por nuk mendoj se do të sjellë ndonjë ndryshim substancial për sa i përket procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër janë qytetarët, të cilët vijojnë të protestojnë, të marshojnë çdo mbrëmje në Prishtinë pikërisht për të kundërshtuar atë aktgjykim që u dha në Hagë. Çfarë pritshmërie kanë njerëzit me këto protesta? Çfarë mendojnë?
Alma Lama: Unë mendoj që ata nëpërmjet protestave shprehin vullnetin e tyre që nuk pajtohen kurrsesi me çfarëdo lloj njolle që mund t’i vihet luftës çlirimtare të UÇK-së. Pavarësisht se në vendim nga ana e Gjykatës Speciale u tentua që të bëhej distancimi që nuk po gjykohet UÇK-ja, po gjykohen këto personazhe të cilët u çliruan nga akuza për krime kundër njerëzimit, që do të ishte shumë, shumë e rëndë, pra nuk u provua, ashtu sikurse ka rënë edhe akuza për trafikim organesh, mbeti akuza për krime lufte dhe gjithsesi kjo është një njollë për UÇK-në për faktin që në Hagë po gjykohen ish-krerët, personat më të rëndësishëm të kësaj organizate. Dhe mendojnë që nëpërmjet presionit publik do të mund të ndryshojnë verdiktin në tre shkallët e tjera të gjyqësorit, pasi përveç Apelit është edhe Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat janë të gjitha si pjesë e kësaj Gjykate Speciale. Pra është një lloj mbivendosjeje totale e Gjykatës Speciale mbi institucionet e Kosovës, mbi sistemin gjyqësor të Kosovës. Është marrëveshje ndërkombëtare dhe është e vështirë që të ndryshojë. Gjithsesi, mospajtimi me këtë gjykim dhe mospajtimi mbi të gjitha me Serbinë, me krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, mendoj që është mesazhi kryesor i protestave që po mbahen në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.
Kosova ende është e mbërthyer nga ajo që mund të quhet krizë politike. Deri në fund të javës tjetër, është afati për zgjedhjen e presidentit të ri, pra kriza është pezull. Çfarë ndodh në këtë plan?
Alma Lama: Po, kriza është pezull, mirëpo kemi një ndryshim të qëndrimeve aktualisht nga ana e Partisë Demokratike pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila ka thënë që do të ndryshojë qëndrimet për të bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit me kusht që të miratohet projektligji për sa i përket Gjykatës Speciale. Nuk e di se sa do të merret parasysh kjo nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentit, por unë mendoj që zgjedhjet janë shumë afër. Zgjedhjet pasojnë nëse arrijnë të bien dakord vetëm nëse Partia Demokratike dorëzohet plotësisht, pra ndryshon tërësisht qëndrimet, por kriza mbetet. Nuk mendoj që ka interes politik tani për tani për të zgjedhur presidentin nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
/vizionplus.tv




