Rikthehet “Mimoza Llastica”, filmi i Xhanfise Kekos restaurohet në 4K dhe mbyll Festivalin e Filmit në Tiranë
Kantautorët dhe instrumentistët e thirrur këtë të hënë në Komisionin e Kulturës kërkuan ndryshime në projektligjin për të drejtat e autorit, me qëllim që të ardhurat të shpërndahen në mënyrë të drejtë.
Artistët kritikuan veprimtarinë e SUADA, sportelit unik për administrimin e të drejtës së autorit. Sipas tyre, të ardhurat që mbledh kjo agjenci vetëm janë pakësuar, vit pas viti.
“Ky sportel të funksiononte dhe çdo agjenci të merrte të ardhurat e veta. U bë shumë vite që kjo nuk funksionon fare. Kur SUADA nuk ishte, autorët kanë marrë më shumë para! Dëshiroj që kjo pjesë duhet parë, ndoshta sporteli unik është një sportel i panevojshëm. U bë vite që kjo gjë nuk po funksionon”, tha Elton Deda.
“Kjo është një tabelë e pagesave që ka mbledhur SUADA. Shikoni diferencën nga 2018 në 2024. Mendoj që sporteli unik duhet të jetë grup interesi. Për mendimin tim, duhet të jetë një sportel unik, por të funksionojë si Italia. Është agjencia e interpretëve që mbledh të gjitha të ardhurat dhe i shpërndan. Ky sportel duhet që të jetë funksional dhe duhet të jetë një grup interesi sepse kështu nuk funksionon. Duke qenë SUADA në mes merr goxha përqindje të të ardhurave”, tha Adrian Hila.
“Tabela na vuri përballë një shoku. Një x kabllor nga 8 milionë, ka paguar 1 milionë, çfarë ka ndodhur?! Në 2019 qenkan 270 bar kafe, tani 13. Pse kaq ndryshim. Unë do të kërkoj përgjigjet e duhura nga institucionet”, tha Ina Zhupa.
“Tabela është marrë nga sporteli unik se më bën çudi kjo diferencë? Më bën çudi që tani janë të gjitha vlerat të rrumbullakosura”, tha Erion Malaj.
Muzikantët kundërshtojnë dhe shtimin e agjencive, që thonë se do i vështirësonte procedurat për garantimin e të drejtave dhe mbledhjen e të ardhurave të autorëve.
“Pajisja e shumë agjencive me licenca për të mbledhur të drejtat e autorëve, ne nuk na duket në rregull. Jemi në një pikë të errët të të drejtës së mbledhjes së të ardhurave”, tha Elton Deda.
“Licencimi i disa agjencive do ta çorientojë edhe më tepër dhe ligji që ka 10 vite që është krijuar, i riformuari, nuk ka sjellë asgjë në të ardhurat. Kjo ndodh nga mospagesa nga radiot dhe tv. Edhe tv që varet nga ju, nuk bën asnjë pagesë! Në Gjermani ka vetëm një agjenci që është aq e fuqishme”, tha Edmond Zhulali.
“Ekzistenca e shumë agjencive të licensuara më duket absurde. E krahasoj me Italinë ku kam jetuar 22 vite, është vetëm një agjenci që mbulon 60 milionë banorë. Si mundet që në Shqipëri të ketë më shumë agjenci për më pak se 3 milionë banorë”, tha Etrita Ibrahimi.
Artistët kërkojnë dhe ndërhyrjen e shtetit për të siguruar përdorimin e muzikës shqiptare, pasi në radio, televizione, bare dhe restorante, mbizotëron bindshëm muzika e huaj, argumentojnë ata.
“Do ishte bukur që të kishte një 50-50. Sepse ndihmon shumë artin tonë. Ndihmon shumë artistët shqiptarë. Po them për balancën në transmetim. Ne e dëgjojmë për ditë jashtë, p.sh sa muzikë italiane jep Italia etj etj. Në Shqipëri dëgjohet shumë muzikë e huaj, por do ishte shumë bukur nëse do të vendosnim këtë balancë”, tha Elton Deda.
“Muzika jonë është nën hijen e muzikës së huaj. Kemi nevojë për mbijetesë dhe për një konsolidim të artit dhe muzikës shqiptare. Të jetë 50-50. Në këto kushte, të gjitha të ardhurat do i marrin të huajt kur të derdhen te SUADA. Edhe Kroacia mbledh 27 milionë euro për autorët, ne jemi nën 200 mijë euro”, tha Edmond Zhulali.
“Ky ligj duhet t’i shërbejë autorëve, jo atyre që e shfrytëzojnë këtë të drejtë! Shpesh kemi gjetur një derë të mbyllur në Ministri”, tha Pandi Laço.
Kërkesat e tyre, artistët ia dorëzuan Komisionit dhe presin që sugjerimet të reflektohen në projektligj.
Top Channel