Arben Fetoshi, drejtues i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, thotë se fjalimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u ndërtua mbi disa shtylla: narrativën për Kosovën, akuzat ndaj Kroacisë dhe lavdërimet për Presidentin Trump. Sipas tij, këto elemente zbulojnë objektivat e “Botës Serbe” dhe shërbejnë për të legjitimuar agresionin e Vladimir Putinit në Ukrainë.
Të lidhura
None found
Në analizën e tij me titull “Recetat perfide të Serbisë në Nju Jork: Moralizimet e Vuçiqit në Asamblenë e Përgjithshme si presion ndaj Perëndimit”, Fetoshi vlerëson se Vuçiqi e përdori foltoren e OKB-së për ta ushtruar presion ndaj vendeve perëndimore. Presidenti serb, sipas tij, e paraqiti Serbinë si viktimë të “padrejtësisë” së Perëndimit dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 si ngjarjen që pretendohet se “shkatërroi” rendin ndërkombëtar.
Fetoshi e analizon fjalimin përtej çështjes së Kosovës, duke e vendosur atë në një kuadër më të gjerë rajonal dhe gjeopolitik. Ai argumenton se Vuçiqi u përpoq të vinte në qendër idenë e një padrejtësie të Perëndimit ndaj Serbisë, ndërsa la në hije përgjegjësitë dhe realitetin e luftërave të viteve ’90.
“Na ishte njëherë një ministër finok, që i kishte ngjizur ambalazhat për terrorin e shefit të tij dhe 30 vjet më pas, në kryeqendrën e diplomacisë botërore, tentoi t’i ‘gozhdojë’ ata që e ndalën terrorin, spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Kosovë”, shkruan Fetoshi në hyrje të analizës.
Sipas tij, presidenti serb u përpoq të lidhte në të njëjtën skemë argumentuese Kosovën e periudhës 1999–2008 me Ukrainën e sotme. Në këtë mënyrë, ndërhyrja e NATO-s dhe njohja e pavarësisë së Kosovës paraqiten si precedent që, sipas Vuçiqit, hapi “Kutinë e Pandorës”. Fetoshi thekson se një qasje e tillë anashkalon represionin, masakrat, dhunimet dhe spastrimin etnik, të dokumentuara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe të lidhura me reagimin e Perëndimit.
Ai përmend gjithashtu aktakuzën dhe procesin gjyqësor ndaj Slobodan Millosheviqit, si dhe vendimet përfundimtare kundër zyrtarëve të lartë politikë, ushtarakë dhe policorë serbë. Për akuzat e Vuçiqit ndaj Kroacisë, të cilën e ka fajësuar për “ringritjen e nazizmit” dhe për “krenarinë me të kaluarën naziste”, pretendime që sollën reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Andrej Plenkoviq, Fetoshi thotë se ato synojnë të ndërtojnë një viktimizim serb përmes përzgjedhjes së njëanshme të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore.
Një kapitull të veçantë në analizë i kushtohet marrëdhënies së Vuçiqit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fetoshi vlerëson se presidenti serb u përpoq ta ndajë politikën amerikane në dy pjesë: Presidentin Clinton e etiketon si “rrënues” të rendit ndërkombëtar, ndërsa Presidentin Trump e paraqet me tone lavdëruese dhe si një “shpresë” për korrigjimin e këtij rendi.
Po ashtu, Fetoshi e kundërshton pretendimin e Beogradit për “neutralitetin” e Serbisë. Sipas tij, rreshtimi strategjik i vendit drejt Rusisë dhe Kinës bie ndesh me këtë deklaratë, ndërkohë që Serbia synon të përfitojë edhe nga procesi i integrimit europian.
Në këtë kuadër, ai e cilëson Vuçiqin si një “zëdhënës europian” të Putinit për narrativën e standardeve të dyfishta të Perëndimit. Fetoshi shton se fjalimi i presidentit serb nuk mund të kuptohet plotësisht pa u parë edhe raporti i tij me trashëgiminë politike të Slobodan Millosheviqit.
Ai sjell në vëmendje deklaratat e Vuçiqit për Millosheviqin gjatë vitit 2018, si dhe diskutimet e fundit në Serbi për rehabilitimin politik të ish-presidentit jugosllav. Sipas Fetoshit, shmangia e përgjegjësisë për periudhën e Millosheviqit nuk lidhet vetëm me mënyrën e interpretimit të historisë, por edhe me përshtatjen e projektit nacional serb me rrethanat e shekullit XXI.
Fetoshi e lidh këtë zhvillim me konceptin e “Botës Serbe”, të cilin e përshkruan si një version të riformatuar të objektivave të mëparshme nacionaliste. Ndryshe nga e kaluara, ky projekt shfaqet më pak përmes deklarimeve të drejtpërdrejta dhe më shumë përmes narrativave historike, viktimizimit, ndikimit politik dhe marrëdhënieve strategjike.
Në përmbyllje, analiza fokusohet te mënyra se si politika përcillet përmes komunikimit. Duke iu referuar interaksionizmit simbolik të George Herbert Mead, Fetoshi argumenton se faktet nuk marrin vetvetiu një kuptim politik; ai kuptim krijohet përmes mënyrës se si interpretohen dhe vendosen në një kornizë të caktuar. Sipas tij, pikërisht kjo e shpjegon rëndësinë e strategjisë së ndjekur nga Vuçiqi.
Fetoshi vëren se në realitetin digjital të “pas së vërtetës”, dokumentet gjyqësore dhe raportet historike mund të mos arrijnë te publiku, ndërsa interpretimet politike të së shkuarës mund të riformatohen për t’iu përshtatur audiencave të reja.
Përballë kësaj, ai përmend raportet e Human Rights Watch dhe Amnesty International për Kosovën, vendimet e ICTY-së, si dhe rastet e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo e Rudnicë. Këto, sipas tij, përbëjnë një kundërpeshë dokumentare ndaj narrativës që ndërhyrjen e NATO-s e paraqet si “Mëkat” të Perëndimit. “Komunikimi i vazhdueshëm i fakteve, me kuptimin e provuar nga drejtësia dhe të dokumentuar nga mediat, është formula më e mirë për dekonstruktimin e ‘kurthit narrativ’ të Vuçiqit”, ka shkruar Fetoshi.
