Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Këshilli i Sigurisë te Kodra e Kuajve

‘O me Ramën, o me shqiptarët’, aktivisti: Shoqëria civile, akademikët dhe kleri të mos heshtin!

‘O me Ramën, o me shqiptarët’, aktivisti: Shoqëria civile, akademikët dhe kleri të mos heshtin!

20:42, 28/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në protestën e 121-të kundër qeverisë Rama, aktivisti u bëri thirrje shoqërisë civile, akademikëve, intelektualëve dhe klerit fetar që të mos heshtin më, por të mbajnë qëndrim përballë qeverisë.

Në fjalën e tij, ai akuzoi mazhorancën për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe kapje të institucioneve, ndërsa ngriti shqetësime për arsimin, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ai kritikoi shoqërinë civile për mungesën e reagimit, ndërsa deklaroi se edhe akademikët duhet të flasin për gjendjen e universiteteve dhe rënien e numrit të studentëve.

Të njëjtën thirrje ai bëri edhe ndaj klerit fetar, duke kërkuar që përfaqësuesit e komuniteteve fetare të mos qëndrojnë të heshtur përballë situatës politike.

“Sot nuk mund të fshihet askush”, deklaroi aktivisti, duke u bërë thirrje këtyre strukturave që t’i bashkohen protestës kundër qeverisë Rama.

Fjala e tij:

Secili prej nesh e dimë se ky ka ardhur në pushtet përmes krimit të organizuar, përmes oligarkisë ekonomike, përmes mediave të kapura, e përmes mbështetjes së ndërkombëtarëve. Sigurisht ne e dimë që ky e ka mbajtur pushtetin e tij edhe përmes patronazhistëve. Ama sot nuk dua të flas për asnjërin prej këtyre strukturave. Sot dua të flas për ato që quhen struktura të ndërmjetme në shoqëri, e që kanë rol kritik për shoqërinë. Sot dua të flas për shoqërinë civile. Sot dua të flas për intelektualët e akademikët, e sot dua të flas për klerin fetar.

Sot, kjo protestë e ka ndarë shoqërinë tonë dysh. Është e pamundur që sot mos të mbash anë. Sot secili prej këtyre strukturave, e secila prej këtyre strukturave, duhet të mbajë anë. Ose është me shoqërinë, ose është me partinë në pushtet që është e gjitha e kriminalizuar.

Sa herë që është folur për shoqërinë civile e për të drejtat e njeriut, studiot televizive janë mbushur me anëtarë të shoqërisë civile që kanë pretenduar se kanë përfaqësuar shoqërinë civile, të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, kanë luftuar për mjedisin... Sot, kur të gjitha këto janë cenuar, ku janë more këta njerëz? Ku janë?

Këta që i keni parë nëpër televizore që dalin si përfaqësuesit e shoqërisë civile. Sot, kur shkollat shqiptare janë mbushur me kamera inteligjente të cilat u shiten kompanive të huaja, ku janë more këta aktivistë që dalin për të drejtat e fëmijëve? Sot kur aktivistë e njerëz të tjerë përçudnohen në rrjet nga patronazhistët... ku janë more këta aktivistë që kanë luftuar prej vitesh për të drejtat e njeriut?

Sot kur natyrës së këtij vendi i është vënë shkrepësi në fyt, e nuk ka hapësirë publike e pyll që nuk po digjet, e nuk po privatizohet, ku janë more të gjitha këto organizatat mjedisore? Ku janë se nuk flasin?! Sigurisht që këtu nuk mund të përgjithësojmë, sepse disa prej tyre i kemi pasur në shesh e kanë qenë krah për krah me ne, ama ne e dimë se ata janë në minoritet.

Dua të flas edhe për akademikët, edhe për intelektualët. Akademikët sot, më shumë se kurrë, kur gjithë populli i krah... duhet të dalin e të flasin për atë që kjo qeveri i ka bërë universitetit dhe dijes në Shqipëri. Në 2013-ën, në auditoret shqiptare ishin rreth 140 mijë studentë. Sot nuk janë më shumë se 70 mijë! A e kuptoni se çfarë ju ka bërë Edi Rama universiteteve shqiptare?! I ka detyruar profesorët dhe akademikët të zihen me njëri-tjetrin për studentë! I ka detyruar të zihen: do bëhet klasa ime, apo klasa jote! Jo mor jo! Ata duhet të luftojnë krah nesh për Shqipërinë, e jo të luftojnë me njëri-tjetrin kush do hapi një lëndë e kush do kapi studentë!

E fundit strukturë e ndërmjetme që duhet të kishte pasur një rol shumë të rëndësishëm në këtë shoqëri, është kleri fetar. I keni parë përfaqësuesit e klerit fetar nëpër studiot televizive, sa herë ka çështje që vënë në pikëpyetje moralin e shoqërisë. Sot, kur e gjithë shoqëria e ka moralin përtokë... ku janë more këta? Ku janë more pse nuk flasin? Kanë katër muaj e kanë futur kokën si struci!

A ka çështje më morale se kjo që kemi katër muaj që po bëjmë? Unë mendoj që është përgjegjësia jonë, që çdo njeri që e njohim, e kemi bërë pjesë si në strukturat e shoqërisë civile, si nëpër akademi, nëpër hapësirat e ndryshme fetare... fe të ndryshme në të cilat ne shkojmë xhami ose në kishë. Duhet t'ju themi atyre, duhet t'i apelojmë, që ka ardhë koha që të mbajnë anë! Edhe duhet të mbajnë anë për shqiptarët! Duhet të mbajnë anë! Ose me krimin, me korrupsionin, me amoralitetin, ose të rrinë me shqiptarët dhe të dalin në shesh! Sot nuk mund të fshihet askush, të fusë kokën si struci në rërë! Ose përndryshe, kur kjo protestë të mbarojë, e ky regjim të ndryshojë, përralla "të gjithë bashkëfajtorë dhe të gjithë bashkëvuajtës", nuk do të ekzistojë më!

Se ka ca njerëz që kanë rrezikuar e i kanë dalë regjimit përballë, ka ca të tjerë që i kanë shërbyer regjimit hapur, ama ka edhe këta, që bëjnë pjesë në këto struktura që përmenda, që i kanë shërbyer regjimit prej ditës së parë! Nuk ka asnjë besimtar, në asnjë vend, që ta pranojë dikë, që të fusë Erion Veliajn në kishë. Kjo është e padiskutueshme! Nuk besoj që ka asnjë besimtar, që pranon që hoxha ose imami i vet, t'i dërgojë hurma Erion Veliajt. Për asnjë rast tjetër!

Kështu që ju lutem, apelojini të gjitha këto struktura të ndërmjetme. Shoqëria në këtë moment, ka nevojë të ndahet: o me Edi Ramën dhe regjimin e tij kriminal, ose kundër atij! Sot nuk ka mundësi dhe kohë që ne të rrimë të heshtur. Ju lutem, ju lutem, bashkohuni në shesh kundër këtij regjimi. Nesër, nëse ne bashkohemi, do kemi mundësi të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten, për ata që janë më të vjetër se ne, e mbi të gjitha për ata që vijnë pas nesh!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco