Një alarm emergjence u aktivizua të hënën në Universitetin e Harvardit pas një kërcënimi për bombë në Memorial Hall, duke shkaktuar masa sigurie dhe kufizime në lëvizjen e studentëve dhe stafit.
Në njoftimin e dërguar rreth orës 08:45 sipas kohës lokale, universiteti u kërkoi studentëve dhe stafit të qëndronin në vendet ku ndodheshin ose të shmangnin zonën përreth Memorial Hall deri në një njoftim të dytë.
Rreth orës 09:20, urdhri i emergjencës u hoq, por autoritetet këshilluan që zona përreth Memorial Hall dhe Zimmer Hall të vazhdonte të shmangej.
Studentët nuk u lejuan të hynin në Memorial Hall, ndërsa policia dhe ekipet e emergjencës vendosën një perimetër sigurie rreth ndërtesës.
Ndërkohë, mësimi në Zimmer Hall, e cila ndodhet pranë Memorial Hall, vijoi normalisht.
Autoritetet vijojnë verifikimet lidhur me kërcënimin, ndërsa deri në këto momente nuk janë raportuar detaje të tjera mbi natyrën e tij.


