Skandali që TRONDITI Greqinë! Mbyllet klinika ku kryheshin kimioterapi ilegale, pacientët trajtoheshin pa licencë

Një kontroll i gjerë i strukturave private shëndetësore në Greqi ka zbuluar një rast të rëndë në Selanik, ku një klinikë private është urdhëruar të mbyllet pasi u konstatua se funksiononte në mënyrë të paligjshme një repart onkologjik.
Kontrolli u krye nga Autoriteti Kombëtar i Transparencës dhe zbuloi se në klinikë kryheshin trajtime kimioterapie, ndonëse reparti onkologjik nuk ishte i përfshirë në licencën e institucionit.
Sipas të dhënave të hetimit, klinika kishte pajisje të posaçme për përgatitjen e barnave kimioterapeutike. Në strukturë punonte edhe një pneumolog me specializim në onkologjinë e mushkërive, por pa një kontratë të shkruar me klinikën.
Dyshohet se që prej vitit 2022, mjeku përshkruante barna kimioterapie për pacientët, ndërsa trajtimet zhvilloheshin brenda repartit të paautorizuar.
Kontrollet evidentuan edhe shkelje të tjera. Klinika nuk dispononte numrin e kërkuar të infermierëve, mungonin disa specialistë mjekësorë të parashikuar nga rregullat dhe nuk funksiononte Njësia e Kujdesit Intensiv, pavarësisht se ajo ishte pjesë e kushteve të licencimit.
Një tjetër element që po hetohet është trajtimi me kimioterapi i pacientëve të regjistruar me diagnoza që nuk lidheshin me sëmundjet onkologjike. Autoritetet po verifikojnë nëse për këto raste janë paraqitur të dhëna të pasakta pranë EOPYY, fondit publik të sigurimeve shëndetësore, me qëllim përfitimin e rimbursimeve.
Problemet me klinikën ishin evidentuar edhe më herët. Në vitin 2025 ishte konstatuar mungesë personeli, ndërsa në fillim të vitit 2026 institucionit iu hoq certifikata e funksionimit të rregullt dhe iu rekomandua mbyllja. Pavarësisht kësaj, klinika vijoi aktivitetin.
Tashmë autoritetet kanë vendosur heqjen e licencës dhe mbylljen e saj, ndërsa materialet e çështjes i janë përcjellë edhe Prokurorisë.
Rasti është bërë pjesë e kontrolleve të shtuara në sektorin privat të shëndetësisë në Greqi, pas vdekjes së këngëtarit Giorgos Mazonakis në një qendër private në Athinë gjatë një procedure plazmafereze.
Pas ngjarjes, autoritetet nisën kontrolle në klinika dhe struktura të ndryshme private në të gjithë vendin. Përmes sistemit MedWatch janë evidentuar mijëra struktura që kërkojnë verifikim në terren. Në Atikë, 231 prej tyre janë klasifikuar si raste me prioritet të lartë për kontroll, ndërsa 424 të tjera janë futur në një kategori që kërkon rikontroll.
Autoritetet kanë theksuar se klasifikimi në këto kategori nuk nënkupton automatikisht se strukturat janë të paligjshme, por se janë evidentuar elementë që kërkojnë verifikim të mëtejshëm.
Kontrollet kanë përfshirë klinika, poliklinika, kabinete mjekësore, qendra estetike dhe biznese që reklamojnë shërbime shëndetësore pa autorizimet përkatëse.


