
Bashkimi Evropian po përgatit një “udhërrëfyes” të posaçëm për Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, me synimin për të përcaktuar më qartë hapat, reformat dhe afatet orientuese që këto vende duhet të ndjekin në rrugën drejt anëtarësimit.
Sipas dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, të cituar nga POLITICO, dokumentet do të përcaktojnë prioritetet për secilin vend kandidat, rezultatet konkrete që duhet të arrihen dhe afate të përafërta për përfundimin e grupeve të reformave në negociatat e anëtarësimit.
Për Shqipërinë, nisma merr rëndësi të veçantë pasi Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e përfshirjes së objektivit për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027. Dokumenti pritet të përcaktojë edhe reformat dhe masat që Tirana duhet të përmbushë për të mbyllur procesin teknik të negociatave.
Aktualisht Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht tre prej tyre: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si dhe marrëdhëniet me jashtë.
Udhërrëfyesit synojnë gjithashtu të përcaktojnë angazhime për shtetet anëtare të BE-së, pasi avancimi i procesit të anëtarësimit kërkon miratimin e tyre.
Në këtë fazë, Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia konsiderohen ndër vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim në procesin e integrimit. Ndërkohë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina nuk pritet të përfshihen në këtë paketë të parë të udhërrëfyesve.
Paralelisht, Komisioni Evropian po shqyrton edhe një reformim të politikës së para-zgjerimit, që do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin gradualisht nga integrimi ekonomik dhe pjesëmarrja në projekte të përbashkëta të BE-së, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Procesi do të vijojë të jetë i kushtëzuar nga zbatimi i reformave dhe parimi i meritës.
Çështja e zgjerimit pritet të diskutohet nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel më 15 dhe 16 tetor, ndërsa Komisioni synon të marrë mbështetje politike për avancimin e procesit.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur më herët për nevojën e një ritmi më të shpejtë të zgjerimit, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se mbështetja do të fokusohet te vendet kandidate që kanë bërë më shumë progres.

