Kosovë - Mijëra qyetatarë u mblodhën sërish sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën “Jo në emrin tim” kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Edhe në natën e 13-të të protestës ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin dhe Kadri Veselin, ndërsa Kuvendi i Kosovës miratoi sot me 99 vota pro deklaratën lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë nga 16 shtatori. Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.
Për Hashim Thaçin, trupi gjykues se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.
Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".
Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.
Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar.









Komente
Komento